LAJMI I FUNDIT:

Në AUK diplomojnë 239 studentë në programin për lidership transformues

Në AUK diplomojnë 239 studentë në programin për lidership transformues

Sot në ambientet e RIT Kosova (A.U.K), në prezencën e qindra personave, kanë diplomuar 239 studentë në programin e USAID-it “Lideri transformues”.

Këtë program e kanë vijuar mbi 300 studentë nga Kosova, ku 239 prej tyre janë certifikuar sot.


Drejtoresha e këtij programi, Ylberina Morina-Mala, ka theksuar para të pranishmëve se programi për lidership transformues është mundësuar nga organizata shtetërore e SHBA-ve, USAID duke shtuar se programi ka zgjatur 6 muaj.

Morina – Mala ka sqaruar se “programi për lidership transformues i përgatit studentët të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve për përgatitje në gjuhë angleze dhe përgatitje për studime universitare në SHBA”.

“Në gjeneratën e katërt programin e kanë ndjekur rreth 300 studentë nga të gjitha qytetet e Kosovës, ndërsa sot do të certifikohen 239 prej tyre, e të cilët do të marrin certifikatën e përfundimit të programit”, tha ajo.

Drejtoresha e RIT Kosova (A.U.K), Sharon Hart, ka thënë se është e ndjenjë e mrekullueshme kur e sheh se po diplomojnë një numër i madh i studentëve.

“Është e mrekullueshme kur gjithmonë kemi një numër të madh studentësh, të cilët vazhdojnë deri në fund. Kjo tregon aftësinë dhe dëshirë tuaj që t’i qoni gjërat deri në fund. Unë mendoj se kjo tregon se këto janë atribute të forta që do t’iu ndihmojnë gjatë shkollimit tuaj të mëtutjeshëm”, tha Hart.

E ushtruesi i detyrës së drejtorit të USAID Kosova, Mike de la Rosa, para të pranishmëve ka theksuar se ishte kënaqësi të punonte me studentët, që mendojnë të investojnë në ardhmen në Kosovë.

“Ishte kënaqësi të punoja me ju, e veçanërisht me ata të cilët kishin ide të shkëlqyera për të investuar në të ardhmen tonë, por edhe në atë që është më e rëndësishme – të ardhmen e Kosovës”, tha Rosa. /Telegrafi/