Ndoshta drama më e madhe në histori të futbollit: Si humbi Sir Alex Ferguson garën për Jon Obi Mikel

Edhe Sir Alex Ferguson, një nga trajnerët më të suksesshëm në histori, ndonjëherë duhej ta pranonte humbjen. Një nga momentet më të njohura ishte beteja e gjatë me Chelsean për transferimin e Jon Obi Mikel në vitin 2005.
Mikel kishte firmosur një parakontratë me Manchester United, por edhe Chelsea arriti një marrëveshje paralele me lojtarin. Çështja përfundoi në zyrat e FIFA-s, e cila nuk arriti të japë një vendim dhe ia la zgjedhjen vetë futbollistit.
Në një intervistë për talkSPORT, Mikel zbuloi sesi Ferguson e takoi për herë të fundit në një përpjekje të fundit për ta bindur. “Fergie tha: ‘Më jepni 30 minuta vetëm me të, mund ta bind të vijë te United’. Ai fluturoi për në Londër dhe kaluam 20 minuta në një dhomë të mbyllur. Ai më pyeti: ‘Çfarë do? Do më shumë para? Do të të jap më shumë. Na duhet në klub’. Por, unë vazhdoja të thoja ‘jo’, sepse doja të luaja për Chelsean”.
Mikel rrëfeu se gjatë kësaj periudhe kishte qëndruar për një vit jashtë fushave për shkak të konfliktit mes klubeve. "United nuk donte të më linte të shkoja, ndërsa Chelsea nuk tërhiqej sepse thoshte: 'E kemi sjellë në Norvegji, kemi investuar tek ai'. Ishte një çmenduri totale".
Pas bisedës, Ferguson u kthye në Manchester dhe ra dakord që Manchester United të tërhiqej nga marrëveshja, me kushtin që të kompensohej financiarisht.
"Chelsea pagoi rreth 12-13 milionë euro për United dhe 4 milionë për klubin tim në Norvegji. Kështu u mbyll e gjithë kjo histori", përfundoi Mikel. /Telegrafi/



















































