LAJMI I FUNDIT:

Ndodh edhe kjo në Spanjë, të burgosurin e shpallën të vdekur  tre mjekë – zgjohet para se t’i bëhet autopsia

Ndodh edhe kjo në Spanjë, të burgosurin e shpallën të vdekur  tre mjekë – zgjohet para se t’i bëhet autopsia

Zyrtarët spanjollë mbetën të shokuar kur i burgosuri të cilin tre mjekë e shpallën të vdekur, u zgjua në morg disa orë para se të fillonte të kryhej obduksioni.

I burgosuri Gonzalo Monto Himenez nuk jepte shenja jete kur e gjetën në qelinë e tij, kështu u dërgua në morg në një thes për kufoma, transmeton Telegrafi.


Patologët u shokuan kur nga thesi dëgjuan tinguj të ndryshëm. Himenez që ishte i burgosur në burgun e sigurisë së lartë për shkak të një plaçkitje, fillimisht ishte kontrolluar nga dy mjekë kompetentë, pasi gardianët e kishin gjetur pa vetëdije në qelinë e tij. Nuk jepte kurrfarë shenja jete.

E pasi që nuk i ndjenin pulsin, mjekët e shpallën të vdekur, ndërsa një orë më vonë edhe ekipet e forenzikës sërish e kontrolluan kufomën.

Himenez u mbështoll në një thes dhe u fut në frigorifer, me një mbishkrim që specifikohej se duhej bërë autopsia. Por për një moment ekipet e forenzikës kishin dëgjuar disa tinguj që vinin nga thesi, të cilin kur e hapën e panë së Himenez ishte gjallë.

Ai më pas është dërguar në një spital tjetër për t’u shëruar nga një sëmundje misterioze. E një ditë “para vdekjes”, Himenez ankohej se nuk ndihej mirë, edhe pse mjekët ende nuk po e dinë se çfarë e kishte shkaktuar këtë gjendje të tij shëndetësore.

Mjekët u kanë thënë mediave spanjolle, se shkaku që çoi në vdekjen e rrejshme mund të ketë qenë katalepsia, gjendje kur trupi futet në trans ngjashëm me një sulm, pacienti humb vetëdijen dhe çdo organizëm duket sikur nuk i funksionon.

Nuk dihet nëse Himenez ka katalepsinë pavarësisht që ai vuan nga epilepsia dhe trajtohet me ilaçe. Familja e tij thotë se ai shpesh ka pasur problem që brenda burgut t’i marrë më kohë ilaçet – kështu që ekziston mundësia që ai të ketë pësuar sulm.

E pasi është këndellur, Himenez u ka kërkuar mjekëve nëse mund ta shoh gruan e tij, duke mos pasur kurrfarë shpjegimi se si kishte përfunduar në morg. /Telegrafi/