Benjamin Freedman: ”Ngaqë ju them të vërtetën, kjo nuk do të thotë, se jam armiku juaj”.

A pajtoheni me mendimet e Albin Kurti? Cili ishte rezultati i demonstratave i Lëvizjes Vetëvendosje! më 10.02. 2007 dhe më 26.08.2009? A duhet Lëvizja Vetëvendosje! t’i ndryshoj veprimet?


1.
Jam i sigurt që shumica e popullit shqiptar pajtohen se, mendimet e Albin Kuritit lidhur me gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë janë logjike, të drejta dhe të bazuara në argumente të fuqishme, të cilat mund të kundërshtohen vetëm nga ndonjë njeri i “verbër” që e ka kapluar korrupsioni dhe kriminaliteti politik.

2.
E dimë të gjithë që demonstrata e 10.02.2007 e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje! ishte ekskluzivisht kundër gjashtë pikëshit.
Në atë demonstratë, doli një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës të cilët ishin të mllefosur kundër politikës destruktive antishqiptare të administratës së UNMIK-ut dhe inferioritetit, nënshtrimit dhe politikës qyqare të “qeverisjes” së vendorëve karshi ndërkombëtarëve. Por, realisht çfarë ndodhi në demonstratë? A fituam apo humbëm, d.m.th. a u instalua gjashtë pikëshi apo parandaluam atë me demonstratën që mbajtën?

Nuk mendoj që fituam, sepse gjashtë pikëshi gradualisht po vendoset në Kosovë, ndërsa në atë demonstratë humbëm dy njerëz, të cilët pa dyshim janë dëshmorë të kombit, dhe u lënduan rreth njëqind njerëz të demonstrues nga makineria e UNMIK-ut, sikurse të ishte koha e okupimit serb.

Rezultati zero me gjashtë për administratën e UNMIK-ut

Veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje!nuk kanë qenë të menduara dhe të koordinuara mirë, sepse është dashur që para se të dilet në demonstratë, të bëhet menaxhimi i veprimeve që mos të vije deri te humbja e njerëzve. Me vetë faktin që nuk është organizuar si duhet, kemi humbur, dhe fitues kanë dalë ata të cilët i kanë dhënë demonstratës karakter dhunues, gjë që nuk besoj, se ka qenë qëllimi i organizatorëve të demonstratës.

Kur situata politike, ekonomike e sociale, e cila karakterizohet në mjerim të plotë në Kosovë, është dashur që të analizohet para se të dilet në demonstratë, sepse kur masa tubohet duhet të kihen parasysh edhe faktorët destabilizues, të cilët mund t’i japin konotacion negativ demonstratës dhe gjithçka të dështoj, si në rastin në fjalë. Kjo, u pa edhe në demonstratë të datës 26.08.2009 kundër EULEX-it, mënyra e veprimit ishte gabim, sepse nuk është dashur të dëmtohen veturat e EULEX-it, ngase një veprim i tillë ka dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës.

Qytetarët e varfër kanë paguar dëmet e shkaktuara nga Lëvizja Vetëvendosje!.
Demonstratat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje! dhe mënyrat e veprimit të saj aspak nuk kanë ndryshuar konceptin politik të planprogramit të UNMIK- ut, tani të EULEX-it, dhe të institucioneve qeverisëse vendore. Prandaj, nuk do të duhej e as që duhet t’i qesin njerëzit në rrugë, sepse veprimi i tillë nuk sjell produktivitet.

3.
Mendoj që, Albin Kurti respektivisht Lëvizja Vetëvendosje! duhet që në të ardhmen të zhvilloi një politikë më produktive të veprimeve.
Rruga e vetme është që Lëvizja Vetëvendosje! të punojë në atë drejtim që ta bindë popullin që masovikisht të dalin në votime, nëse dëshirojnë që ta ndryshojnë sistemin e organizimit shoqëror, më qëllim që të ndryshojnë rrjedhat politke, ekonomike dhe sociale në aspektin pozitiv.

Dhuna nuk solli të mira, e as që do të na sjell ndonjëherë, ka kaluar koha e veprimeve të dhunshme politike(sidomos në rastin tonë). Pse e them këtë? Sepse, nuk dua apo nuk është mirë që Lëvizja Vetëvendosje! të identifikohet përmes dhunës, ose kur flitet për të, të mendohet dhuna, ngase do të krijohej imazh negativ për Kosovën. Në anën tjetër, kundërshtarët e saj do ta cilësonin Lëvizjen me karakter revulucionar apo anarkik, edhe pse dihet që roli dhe qëllimi i saj nuk kanë karakter të tillë. Kështu që, duhet të mendohet dhe të punohet pa dhunë, nëse dëshirojmë të fitojmë atë të cilën duam. Prandaj, nuk jam kundër mendimeve të Albinit respektivisht Lëvizjes Vetëvendosje!, por jam kundër veprimeve, sepse nuk treguan rezultat pozitiv.

Shkrimin e përmbylli me një thënie të Benjamin Freedman: ”Ngaqë ju them të vërtetën, kjo nuk do të thotë, se jam armiku juaj”.

(Autori i shkrimit studion në nivelin master, drejtimi - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci)