LAJMI I FUNDIT:

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në fermat qumështore

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në fermat qumështore
FDA tests have turned up residues suggesting a few dairy farmers are illegally using antibiotics

Përveçse duhet ta zvogëlojnë gazrat me efekt serrë të liruara nga blegtoria, fermat qumështore duhet t’u përshtaten edhe ndryshimeve klimatike.

Holstein Friesian është raca kryesore në fermat e qumështit në vendet e zhvilluara. Ky lloj fillimisht është rritë në Holshtajn dhe Frizi, dy rajone bregdetare të Holandës e Gjermanisë, prej të cilave dhe ka marrë emrin. Këto vise kanë klimë mesatare, dhe lopët Holstein Friesian përshtaten më së miri në aso klime.


Figura 1. Holshtajni dhe Frizia, rajonet ku është rritë për herë të parë raca Hoistein Friesian.

Por ekspertët parashikojnë se rritja globale e temperaturave dhe aksidentet që po ndodhin si pasojë e kushteve të skajshme klimatike do të shtohen edhe në rajonet veriore. Lopët qumështore kanë vështirësi me u bë ballë nxehtësive të mëdha, çka shpesh e ul rendimentin e qumështit dhe i bën gjedhet më të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe problemeve fizike. Të nxehtët pra paraqet një problem kritik për të ardhmen e fermave qumështore.

Ndërkohë që klima shkon duke u përkeqësuar, furnizimi i qëndrueshëm me ushqim cilësor për kafshët do të çalojë. Shumica e kullosave janë monokulturore: pra kanë vetëm një kulturë ose lloj të bimës në sipërfaqe. Ky soj livadhesh jep ushqim të mirë për kafshët, por nuk u përballon lehtë thatësive dhe vërshimeve që shkakton ngrohja globale. Rendimenti i ulët i kullosave do ta rrezikojë sigurinë e ushqimit për kafshët dhe do t’ua rritë koston fermerëve, të cilët do të detyrohen me ble ushqim shtesë.

Ndryshimet klimatike kërcënojnë po ashtu shëndetin e lopëve qumështore në viset veriore të Evropës, duke rritë rrezikun e sëmundjeve të bartura nga insektet. Insektet kërkojnë një temperaturë të caktuar për t’u rritë dhe riprodhuar. Tek ngritën temperaturat në rruzull, specie të ndryshme insektesh përhapen nga jugu drejt veriut. Ky shtegtim mund të ketë efekt edhe pozitiv, por mund të sjellë dhe sëmundje që nuk kanë ekzistuar më parë në ato treva. Si shembull është virusi bluetongue apo gjuhëkaltri, që është përhapë shkaku i temperaturave të ngritura.

Figura 2. Vendet e përhapjes potenciale të virusit bluetongue, bazuar në kushtet e tashme klimatike. Me të kaltër paraqiten vendet ku mund të përhapet virusi. © 2016 Sammy, Peterson.

Figura 3. Parashikimet e shpërndarjes potenciale të virusit bluetongue në kushtet e ardhshme klimatike. © 2016 Sammy, Peterson.

Prodhimi i qumështit kërkon një numër burimesh që mund të pakohen në të ardhmen: karburante fosile, tokë cilësore,dhe ujë. Sasi të mëdha të ujit nevojiten për të prodhuar qumësht, dhe nëse thatësirat kufizojnë burimet e ujit në të ardhmen, do të kemi probleme për të siguruar edhe qumësht.

Raporti i Mbretërisë së Bashkuar rreth ndryshimeve klimatike më 2017 thotë se tokat që konsiderohen më të mirat për bujqësi në Angli-Uells do të tkurren nga 38 për qind sa janë tash në 9 për qind deri më 2050. Pjesë të Anglisë jugore, lindore, dhe qendrore gjithashtu mund të bëhen të paqëndrueshme për disa lloje fermash si pasojë e pamjaftueshmërisë në rritje të burimeve ujore. Raporti thekson se disa rajone mund të përfitojnë nga ndryshimet klimatike, sepse atje pastaj mund të rriten domatet, ullinjtë, dhe rrushi. Por ngritja e temperaturave sjell dobi vetëm kur toka është pjellore dhe ka mjaft ujë për t’i ujitë të mbjellat.

Artikull nga Ben Dida, agronom, dhe konsulent në RECURA Agroqendër
Referenca
Gauly, M., Bollëein, H., Breves, G., Brügemann, K., Dänicke, S., Daş, G., Demeler, J., Hansen, H., Isselstein, J., König, S. & Lohölter, M., (2013). Future consequences and challenges for dairy coë production systems arising from climate change in Central Europe–a revieë. Animal, 7(05), 843-859.
Samy, A. M., & Peterson, A. T. (2016). Climate Change Influences on the Global Potential Distribution of Bluetongue Virus. PloS one, 11(3), e0150489.
© University of Reading.
/Telegrafi/