LAJMI I FUNDIT:

Nderim Naimit – apostullit të shqiptarizmës

Nderim Naimit – apostullit të shqiptarizmës
Naim Frashëri

Nga: Dritëro Agolli

Të vish në Frashër do të thotë të ndjesh fare afër frymën e poetit shenjtor, apostullit të shqiptarizmës, dhe kjo frymë të të nxitë për t’u bërë njeri i vërtetë  dhe atdhetar, që i nderon gjithë atdhetarët e ndershëm të botës.

Frashëri ku lindi Naimi, u be për shqiptarët vend pelegrinazhi, ashtu si Betlehemi i Jeruzalemit,  ku lindi Krishti, apo Meka-atdheu i Muhamedit në Arabinë Saudite.


Naim Frashëri nga zemërgjerësia dhe urtësia i ngjante Krishtit. Edhe ai kishte shumë miq bashkëluftetarë, po kishte edhe tradhëtarë.

Krishti ka pasur 12 apostuj. I pari ishte Pjetri dhe i 12-ti Juda Iskariota. Këta ishin nxënës të Krishtit. Vetëm i 12-ti, Juda, e tradhtoi. Nëse Naim Frashëri do të ishte bashkëkohës i Krishtit, do të zinte vendin e parë të apostujve dhe do t’i lutej mëkëmbësit të zotit që ta hiqte Judën nga radha e shenjtorëve.

Por hyri gjysma e dytë e shekullit te 19-të pas Krishtit dhe Naim Frashëri u bë i pari apostull i shqiptarizmës. Për këtë shqiptarizmë flet çdo qelizë e shpirtit të Naimit, flet në çdo varg poetik e në çdo radhë të mendimit patriotik dhe filozofik te tij. Vëllazëria, urtësia dhe mirëqenia e shkrirë me patriotizmën, janë fara të mbjella në tokën e pasur të shqiptarëve. Dhe çuditërisht këto fara ai nuk i izoloi nga Europa. Në mes të Perandorisë Osmane, ku jetonte dhe krijonte, duke ëndërruar një Shqipëri të lirë, ai shkruante “Dielli lind andej nga perëndon”.

Është i pari mendimtar shqiptar qe hidhte idenë të drejtojmë sytë nga Perëndimi. Prandaj të mos na mburren disa oratorë të sotshëm, që qenkëshin të parët e përhapjes së idesë se bashkimit me Evropën. Naimi e shoqëronte idenë e Shqipërisë Evropiane me urtësinë dhe bashkimin dhe jo me grindjet oratorike. Elementi themelor për patriotizmën dhe bashkimin kombëtar për Naimin ishte gjuha e shkruar pastër dhe e folur pastër. Ai me mençuri të rrallë e pastroi u gjuhën nga fjalët e huaja si bujku arën e tij nga barërat dhe gjembaçet. Me gjeni një fjalë të huaj në veprën e Naimit!

Shikoni gjuhën e sotshme si është mbushur me fjalë të huaja, madje edhe fjalët shqipe shtrembërohen dhe nuk qëndrojnë drejt në fjali.

Vepra e Naim Frashërit nuk është një korije e vogël me lisa të rrallë por është një pyll pa fund. Vepra e tij përfshin shumë anë të natyrës, jetës dhe historisë sonë. Me krijimtarinë e tij janë rritur dhe do të rriten breza të tërë. E kush nuk i kujton “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e verës”; Vjersha për mësonjëtoret e para; Parajsa dhe fjala fluturake; Dëshir’ e vërtetë e shqiptarevet; Fletore e Bektashinjët, Shqiperia, “Historia e Skenderbeut”, “Qerbelaja”, e me radhë.

Naimi jetoi pak, vetëm 54 vjet, vdiq me penë në dorë, i shkrirë nga turbekulozi, por shpirti i tij jeton në çdo shqiptar, për këtë ai ishte i vetëdijshëm.

Kur më shihni se jam tretur
Mos pandehni se kam vdekur
Jam i gjall’ e jam ndë jetë
Jam ne dritë të vërtetë
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.

21 Maj 2013