LAJMI I FUNDIT:

As ndarje, as shkëmbim të territoreve me Serbinë

As ndarje, as shkëmbim të territoreve me Serbinë

Opozita kosovare po e kundërshton fuqishëm çdo iniciativë të mundshme për ndarje të Kosovës apo për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Ditë më parë më medie u raportua se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti kanë biseduar në Tiranë për ndarjen e Kosovës, përkatësisht për vizatimin e kufijve në Ballkan, shkruan sot gazeta “Zëri”.


Por vetë Thaçi gjatë takimit që ka zhvilluar të hënën me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, e ka cilësuar si shqetësues dhe të dëmshëm debatin rreth idesë për ndarjen e Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës në vend vlerësojnë se me Serbinë as që duhet të diskutohen temat e tilla dhe se me këtë të fundit duhet të diskutohet vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, analistë të çështjeve politike në vend po konsiderojnë se debati për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë bëhet nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe se po luhet një “lojë me zjarr”, e cila mund të shkaktojë trazira.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për “DW”-në kishte thënë se deklaratat për ndarje territoriale të politikanëve serbë nuk janë serioze dhe lojëra të tilla janë të rrezikshme. /Zëri/