LAJMI I FUNDIT:

Ndarja nëpërmjet Brexit-it do ta kthente Britaninë e Madhe në Jugosllavi!?

Ndarja nëpërmjet Brexit-it do ta kthente Britaninë e Madhe në Jugosllavi!?

Tashmë që kanë mbetur pak ditë deri në afatin e fundit që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Evropian, njerëzit në Ballkan më pyesin vazhdimisht se ç‘do të ndodhë më pas. Përgjigja e sinqertë është se askush këtu nuk ia ka idenë.

Është një përvojë e çuditshme, duke pasur parasysh sigurinë që dikur karakterizonte politikën britanike. Ndërsa ngjarjet dhe personalitetet ndryshuan, rregullat e lojës u kuptuan. Mbretëria e Bashkuar mund të mos ketë një kushtetutë të shkruar, por kemi një sistem që ne besonim se ishte ndërtuar mbi besimin dhe korrektësi të mirë. Nuk është më kështu.


E gjithë korniza e politikës britanike është transformuar. Që prej vitit 2016 dhe veçanërisht gjatë vitit të kaluar, sistemi ynë politik është vënë në provë si asnjëherë më parë – ndoshta deri në atë pikë sa u shkatërrua fare. Ekziston një ndjenjë në rritje që Brexit-i po çon drejt kolapsit eventual të vetë bashkimit politik – sidomos nëse ndodh nën një skenar të “pa marrëveshje” ose të një Brexit të vështirë.

Sigurisht që mundësia e shpërbërjes së Mbretërisë së Bashkuar nuk është asgjë e re dhe ekziston prej vitesh. Megjithatë, pak në Angli dukej se e morën seriozisht këtë. Edhe ndërsa Skocia përgatitej për një referendum për pavarësi në vitin 2014, kishte një lloj ndjesie që ajo nuk do të largohej.

Ndryshe nga të tjerët, nuk kam menduar kurrë se Mbretëria e Bashkuar ishte imune ndaj secesionizmit. Ndoshta këtë e kisha nga përvoja e punës time në Ballkanin Perëndimor. Kam menduar gjithmonë se britanikët, më shumë se çdo vend tjetër evropian, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Për të qenë të sigurt, të dy rastet nuk janë të njëjta. Natyra e shtetit, historia e tij dhe konteksti më i gjerë janë thellësisht të ndryshme. Megjithatë, siguria e vjetër se Britania kurrë nuk mund të marrë të njëjtën rrugë si Jugosllavisë nuk mund të hidhet më poshtë aq lehtë. Gjendja emocionale në vend po ndryshon për keq. Ata që kanë jetuar gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë dhe tani jetojnë në Britani, shohin gjithnjë e më shumë paralele me atë që ndodhi në ish-atdheun e tyre në vitet 1990.

Siç më tha një ish-diplomat i lartë serb – një i njohur i moderuar – nëse Brexit-i (dhe ardhja në pushtet e Donald itTrump në Shtetet e Bashkuara) kishin një gjë pozitive, ishte se ai nuk kishte më asnjë vështirësi të shpjegonte ngritjen në pushtet në Serbi të Sllobodan Millosheviqit.

Populizmi që nxit Brexit-i, i shoqëruar me një besim të ndërtuar në nacionalizmin anglez – dhe jo atë britanik – është shumë shqetësues. Por, a mund të çojë ai në konfrontim politik, nëse jo edhe në dhunë?

Siç janë gjërat, kandidatja me më shumë gjasa për t’u shkëputur është Skocia. Ajo tashmë ka mbajtur një votim për pavarësi. Megjithatë, ndërsa 55 për qind e votuesve e refuzuan shtetësinë pesë vjet më parë, konteksti politik tani ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Në vitin 2014, votuesve skocezë iu tha se nëse votonin për pavarësi, e ardhmja e tyre në BE nuk mund të garantohej. Vetëm dy vjet më vonë, pasi votuan me shumicë dërrmuese për të qëndruar në BE në referendumin e Brexit-it, ata prapëseprapë e gjetën veten në dyshim për të qëndruar në BE. Si rezultat, qeveria skoceze po ndërmerr hapa për t’i hapur rrugë një tjetër votimi. Çështja është nëse qeveria britanike do ta lejojë këtë. Tashmë, ka shenja që nuk do ta lejojë.

Kryeministri Boris Johnson ka thënë se është kundër një tjetër referendumi skocez dhe se do të refuzojë të japë lejen e nevojshme për një referendum të ri. Kjo mund të çojë në një bllokim politik midis Londrës dhe Edinburgut. Nëse kjo ndodh, ekziston rreziku që politikanët anglezë ta shohin një zhvillim të tillë si një sulm ndaj imazhit të tyre për një Britani të fuqishme pas Brexitit dhe të rezistojnë me akoma më shumë forcë. Si rezultat, Londra mund të përpiqet të largojë fuqitë nga Edinburgu dhe të vendosë një sundim të drejtpërdrejtë. Bërja e kësaj do të kishte pasoja të mëdha.

Pastaj është edhe Uellsi. Tradicionalisht, mbështetja për pavarësi ka qenë jashtëzakonisht e ulët. Një sondazh i kryer menjëherë pasi Skocia votoi që të mbetej pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, e vendosi mbështetjen për shtetësinë e Uellsit në vetëm tre për qind. Në vitin 2016, së bashku me Anglinë, Uellsi votoi në favor të Brexit-it. Megjithatë, lëvizja për pavarësi në Uells duket se po rritet. Sondazhet e fundit tregojnë se ajo po shkon në rreth 25 për qind – duke u rritur në 40 për qind nëse kjo do të thotë të qëndrosh në BE pas një Brexit-i. Në mbështetje të shtetësisë po zhvillohen një sërë tubimesh.

Ajo është më e rëndësishmja, hulumtimet e reja tregojnë se rezultati i Brexit-it u formësua nga ndarjet në shoqërinë uellsiane. Zonat që flasin gjuhën e Uellsit votuan që të qëndronin. Ishin zonat që flasin anglisht, dhe sidomos ato zona ku ka një numër të madh anglezësh etnikë (afërsisht 20 për qind e popullsisë), që votuan për largim nga BE-ja. Kjo ngre perspektivën e hapjes së pakënaqësisë së thellë ndërsa banorët e Uellsit fajësojnë për fatkeqësinë e tyre “kolonët anglezë”. Edhe pse dhuna duket e pamundur, është e rëndësishme të pranohet dinamika kryesore në vend. Situata në Uells ndoshta nuk është aq e qetë sa mund të supozojnë shumë njerëz.

Megjithatë, nga të gjitha pjesët e Mbretërisë së Bashkuar, Irlanda e Veriut është më e rrezikshmja. “Problemet” që prekën krahinën – dhe Britaninë e Madhe – për dekada me radhë morën fund në vitin 1998 me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë. Kjo marrëveshje historike paqeje u bazua në dy faktorë kryesorë. Së pari, kur ka prova të mbështetjes së mjaftueshme për unifikim irlandez, do të mbahet një referendum. Së dyti, deri në atë kohë, kufiri midis Veriut dhe Republikës do të ishte sa më i hapur.

Në vitin 2016, Irlanda e Veriut votoi që të mbetej në BE. Por, rezultati nxori në dritë dallime të thella nëpër komunitete. Katolikët votuan me shumicë dërrmuese për të qëndruar. Protestantët u ndanë më në mënyrë të barabartë, por një shumicë megjithatë votuan daljen nga BE-ja. Që atëherë ka dalë në pah mundësia e një kufiri të vështirë që po rindërtohet në ishullin e Irlandës. Nëse kjo do të ndodhte, rruga drejt një rikthimi dhune është e qartë. Çdo infrastrukturë kufitare së shpejti do të sulmohej. Kjo do të kërkonte ndërhyrjen e policisë. Atëherë policia do të sulmohej, duke kërkuar kështu mbrojtjen e ushtrisë. Tashmë, numri i incidenteve të dhunshme në krahinë është përsëri në rritje.

Brexit-i mund të çojë në një referendum mbi bashkimin irlandez. Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për unifikim është rritur dhe tani duket se gëzon një epërsi më të hollë. Për shumicën dërrmuese të kontinentit britanik, ky nuk do të ishte problem. Megjithatë, për sindikalistët ekstremë që do ta gjenin veten duke jetuar në një Irlandë të bashkuar, kjo do të mund të ishte e tepërt. Përpjekjet për t’i rezistuar përfshirjes në shtetin irlandez mund të hasin rezistencë. Kjo është frika e vërtetë për shumë njerëz.

Së fundi, nuk mund të mos diskutojmë mundësinë e tensioneve në Angli. Brexit-i ka sjellë ndarje të thella në të gjithë vendin: veriu kundër jugut, zonat urbane kundër atyre rurale, Londra kundër pjesës tjetër. Shumë më tepër sesa Skocia, Uellsi dhe madje edhe Irlanda e Veriut, është Anglia vendi ku zhvillohen betejat kryesore midis mbështetësve të qëndrimit dhe të largimit nga BE-ja.

Përdorimi i gjuhës inflamatore të tradhtisë mund të shkaktojë ende dhunë serioze politike. Me vetëm disa javë para se Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Evropian, ekziston një ndjenjë në rritje që Brexit do të çojë në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar. Brexit-i tani kuptohet të jetë një projekt nacionalist anglez dhe tërheqja nga pjesët e tjera të vendit duket se po rritet.

Dikush do të shpresonte se çdo lëvizje drejt shkëputjes të mund të zhvillohej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Një rreze shprese duket se është se anglezët duan Brexit më shumë sesa duan bashkimin dhe kështu mund të jenë të gatshëm t’i lënë pjesët e tjera të largohen. Megjithatë, kur procese të tilla ndodhin në një mjedis populizmi kombëtar, gjithmonë ekziston mundësia që ata të mund të ndryshojnë mendimin e tyre nëse Brexit është arritur.

Në mënyrat e tyre të ndryshme, pjesët e ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar i kanë kushtet për konfrontim dhe konflikt. /BIRN/