Ndarja mes politikës dhe profesionit
Debati rreth ndarjes sё profesionit nga politika daton jo vetëm nga ‘Politika si Profesion’ i Max Weber-it, por edhe mё herët. Ekzistojnë kryesisht dy shkolla mendimi për kёtё fushё: e para favorizon njё ndarje mё tё zbehtё mes politikёs dhe profesionit, dhe e dyta promovon njё ndarje mё tё qartё si tё domosdoshme pёr funksionim mё tё mirё tё shtetit. Meqë ky nuk ёshtё punim akademik nuk do tё hyjmё mё thellё nё kёtё temё pёrveç se tё konstatojmë se shteti i Kosovës ёshtё ndёrtuar mbi parimet e shkollёs sё dytё tё mendimit, ku politika nga administrata apo burokracia ёshtё paraparё tё jetё e ndarё nё mёnyrё tё qartё dhe po ashtu shteti tё jetё i ndarё nga sektorёt e tjerё tё shoqёrisё si bizneset, shoqёria civile, mediet, etj.
Kёto parime shkelen nё dy rrafshe. Nё rrafshin e parё shkelёsi ёshtё vet shteti apo pёrfaqёsuesit politik nё institucionet shtetërore tё cilёt kanё arritur tё politizojnё jo vetёm profesionistёt nё burokraci, por edhe gjyqësorin ku propozimet dhe vendimet e ndryshme kryekëput profesionale shpeshherё janё tё motivuara politikisht. Kjo çёshtje ёshtё njё ndёr problemet kryesore tё paraqitura edhe nё Raportin e Progresit pёr vite me radhë. Pёr mё tepёr ky penetrim politik ka arritur edhe nё media dhe institucione tjera joshtetёrore, gjё qё ёshtё po ashtu prezente nё raporte tё ndryshme kohёve tё fundit.
Nё rrafshin e dytё, qё ёshtё mё shqetёsuese, kёto parime shkelen nga vet profesionistёt tё cilёt duhej tё ishin mbrojtёsit kryesorё tё profesioneve tё tyre. Kёtu ёshtё fjala pёr tё ashtuquajtura ‘prurje’ tё cilat zёnё njё pёrqindje tё lartё tё hapёsirёs nё mediumet tona kёtyre ditёve. Dy subjektet e reja politike ndoshta mund t’i pёrjashtojmё nga kjo kategori sepse njёri nga qёllimet e tyre tё futjes nё politikё ёshtё pikёrisht de-politizimi i profesionit. Prandaj ndoshta edhe nё mёnyrё shumё subjektive i pёrjashtojmё sepse besojmё, apo sё paku dёshirojmё tё besojmё, se kёto subjekte do tё kontribuojnё nё kёtё drejtim. Kёtu po ashtu nuk hyn as ‘jo-kurrizorët’ tё cilёt vetёm se janё nё politikё dhe krejt çka bёjnё ёshtё ndёrrimi i subjekteve politike pёr arsye qё ata i dijnё mё sё miri. Si rezultat, na mbetet njё kategori e profesionistёve motivi i tё cilёve pёr kyçje nё partitё ekzistuese ёshtё se kjo ёshtё mёnyra e vetme pёr tё kontribuar dhe bёrё ndryshim pozitiv, siç thonё ata.
Parimisht angazhimi i tyre nё politikё nuk ёshtё asgjё e keqe sepse siç thoshte Platoni profesionistёt mё tё mirё do duhej tё ishin udhёheqёs politik. Mirёpo çёshtja mё shqetёsuese e gjithё kёtij muhabeti ёshtё pikёrisht motivi i angazhimit tё tyre politik, dhe kjo pёr dy arsye kryesore. E para, fatkeqёsia mё e madhe e njё shoqёrie ёshtё kur profesionistёt nuk gjejnё hapёsirё tё duhur pёr tё vepruar nё fushat e tyre pёrkatёse dhe politikёn e shohin tё vetmen mundёsi pёr tё kontribuar. Nёse ky fenomen vazhdon, mbetet pёrshtypja se nuk do tё mbetet asnjё mjek, profesor, artist, etj., pёr tё kryer funksionet e veta nё shoqёrinё tonё. Kjo na dёrgon te arsyeja e dytё se kёta profesionist bijnё nё grackёn e partive politike dhe nё kundёrshtim me vet motivin e tyre, sepse ata hyjnё nё struktura politike tё cilat vite me radhё kanё politizuar profesionet e ndryshme brenda dhe jashtё strukturave shtetёrore.
Prandaj nuk kemi arsye tё besojmё se kёto ‘prurje’ tё reja do tё arrin tё ofrojnё kontributin e vet professional tё cilin synojnë, sepse ata me gjasё tani karshi interesave tё ngushta partiake do humbin edhe atё objektivitetin e vogёl qё e kanё pasur deri tani. Megjithatë, ky mobilizim politik i ka edhe avantazhet e veta sepse tani sё paku ёshtё e qartё se kush i takon cilës parti politike. Pёr mё tepёr shpresojmё se ky mobilizim do tё rezultojë me dalje masive nё votim qё do tё adresonte deficitin e legjitimitetit demokratik nё Kosovё.



































