LAJMI I FUNDIT:

Ndahet nga jeta shkrimtari e publicisti Kiço Blushi

Ndahet nga jeta shkrimtari e publicisti Kiço Blushi

Mbrëmjen e së premtes, në moshën 75-vjeçare vdiq shkrimtari, publicisti dhe skenaristi i njohur, Kiço Blushi.

Blushi lindi në Korçë, më 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi, punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.


Në total i ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” i vitit 1975 (si bashkautor). Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë”, në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual, që mori dhe ushtroi me përkushtim e përgjegjësi publike në momente kyçe për fatet e vendit.

Më 20 shkurt të vitit 1991 u thirr nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 1996 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste. Ndërkohë, nga 1997 deri në vitin 2001 ai ka qenë sërish deputet i PS-së, por për shkak të sistemit zgjedhor ishte në listat e PSD-së, si një nga partitë e vogla të koalicionit.

Më pas u bë kryeredaktor i gazetës së njohur “Koha Jonë” dhe kur i dha fund kësaj eksperience, u bë anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Edhe pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptarai mbeti në politikën aktive.

Shkrimtari i shquar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga viti 2007 deri në 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Nesër (9 shkurt) në ora 14:00 zhvillohet ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit të të ndjerit KIÇO BLUSHI në varrezat e Sharrës. Nisja nga banesa pranë ish-Hotel Arbana (aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit).

Pritja mbas varrimit tek restorant Piazza, mbas Muzeut Kombëtar! Familja pret vizita aty nga ora 11:00-13:00 dhe 17:00-20:00, nga data 10 shkurt deri në 17 shkurt!