LAJMI I FUNDIT:

Ndahet çmimi “Shaban Jashari” për mësuesin e vitit

Ndahet çmimi “Shaban Jashari” për mësuesin e vitit

Në ceremoninë e dhënies së çmimit tradicional “Shaban Jashari”, për mësuesen/in e vitit, në shënim të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ka çmim e vlerësim të drejtë për mësuesen dhe mësuesin e mirë nëse çmimi nuk mbart një emër që ta ketë përkryer këtë funksion.

Kurti tha se “për mësuesin ne nuk themi se ai kryen një funksion, por themi se mësuesi kryen një mision, sepse misioni e shpreh lirinë pa cak të devotshmërisë brenda një profesioni”.


“Unë vetë jam udhëhequr aq shpesh nga figura e mësuesit”, tha kryeministri duke bërë më pastaj një reflektim mbi misionin e mësimdhënies në shoqëri.

Së pari, ai tha se mësimdhënia dhe mësimnxënia bëjnë lidhjen mes moshave. Pastaj, se shkolla lidh të shkuarën dhe të ardhmen.

“Ajo klasifikon, pedagogjizon mbi masën e pamendueshme të dijeve dhe formave që janë regjistruar në mijëvjeçar, i lidh këto dije mes tyre dhe i bën të qasshme për një brez që hyn si rishtar në bashkësinë e gjithanshme e të pamatshme të njohjeve. Pedagogjia është edhe art edhe dije. Duhet shumë art për të dhënë bindshëm këtë sasi dijesh”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim të fjalimit, duke iu uruar punë të mbarë, jetë të shëndetshme e suksese të reja, kryeministri Kurti tha se çdokush që ka besim te misioni i mësuesit, përfshirë edhe vetë mësuesit, e do atdheun e vet.

“Emri i zgjedhur në çmimin që do të merrni është një emër i lartë, ai i Shaban Jasharit. Shaban Jashari është mësuesi që e ka shpalosur më mirë nyjen dialektike mes dijes dhe autoktonisë. Nuk ka dije të tepërt ndaj banimit të njeriut, dhe nuk ka autoktoni të mangët për dijetarin”, përfundoi kryeministri.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se sot është një ditë kur publikisht i gjithë vendi i përulet kontributit të mësimdhënësve. Është dita kur secila e secili prej nesh, i madh e i vogël ngrihet në këmbë për të thënë publikisht faleminderit të dashur mësues për punën që e bëni.

Sivjet çmimi “Shaban Jashari” iu nda katër mësimdhënësve që vijnë nga Komuna e Istogut, Komuna e Obiliqit, ajo e Prishtinës dhe e Rahovecit, kurse mirënjohje morën gjithsej 28 mësimdhënës. /Telegrafi/