Turqia po shqyrton mundësinë e bashkimit me Arabinë Saudite dhe Pakistanin në një aleancë të re mbrojtëse, të modeluar sipas NATO-s, bëjnë të ditur mediat turke. Ky zhvillim pritet të sjellë një “arkitekturë të re sigurie” dhe të ketë ndikim të konsiderueshëm në ekuilibrat rajonalë.

Raportimet tregojnë se bisedimet për përfshirjen e Ankarasë kanë hyrë në një fazë të avancuar dhe se arritja e një marrëveshjeje është shumë e mundshme. Nisma vjen pas nënshkrimit, në muajin shtator, të një pakti mbrojtës mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit, i cili parashikon se çdo sulm ndaj njërës palë do të konsiderohet si agresion ndaj të gjithëve – një parim që pasqyron drejtpërdrejt Neninin 5 të NATO-s.


Sipas burimeve të afërta me negociatat, Turqia e sheh këtë aleancë si një mjet për të rritur sigurinë kombëtare dhe për të penguar kërcënimet potenciale. Ky orientim lidhet edhe me dyshimet në rritje mbi besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe paqartësitë rreth angazhimit të presidentit Donald Trump ndaj NATO-s, organizatë ku Turqia ka qenë anëtare për dekada.

Eksperti i sigurisë Nihat Ali Ozcan nga instituti TEPAV në Ankara vlerëson se të tre shtetet do të përfitonin ndjeshëm nga një bashkëpunim i tillë, duke marrë parasysh asetet strategjike që secili sjell.

Arabia Saudite kontribuon me kapacitete të mëdha financiare falë pasurisë së saj energjetike; Pakistani është i vetmi shtet mysliman i pajisur me armë bërthamore, raketa balistike dhe një ushtri të konsiderueshme; ndërsa Turqia ofron përvojë të gjerë luftarake dhe një industri ushtarake të avancuar, veçanërisht në fushën e dronëve, si Bayraktarët. “Ndryshimet në dinamikat rajonale po i detyrojnë shtetet të kërkojnë forma të reja të partneriteteve të sigurisë,” thekson Ozcan, shkruan bloomberg.

Përfshirja e mundshme e Turqisë në këtë pakt sinjalizon gjithashtu një fazë të re në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Riadit. Pas shpërthimit të Pranverës Arabe në vitin 2011, Turqia u rreshtua me Katarin dhe mbështeti Vëllazërinë Myslimane, çka solli përplasje me Arabinë Saudite, e cila e shpalli këtë lëvizje organizatë terroriste në vitin 2014.

Tensionet kulmuan gjatë bllokadës së Katarit në vitin 2017, të udhëhequr nga Riadi. Megjithatë, vitet e fundit janë shënuar hapa të dukshëm afrimi. Si tregues i këtij normalizimi, Ministria turke e Mbrojtjes konfirmoi se forcat detare të Turqisë dhe Arabisë Saudite zhvilluan këtë javë takimin e tyre të parë në Ankara.

Nga ana tjetër, për Pakistanin kjo aleancë vjen në një moment delikat. Pas përplasjes së shkurtër me Indinë në muajin maj dhe rritjes së tensioneve me qeverinë talebane në Afganistan në tetor, Islamabadi po kërkon mbështetje më të fortë strategjike. Autoritetet pakistaneze akuzojnë Indinë dhe Afganistanin se po mbështesin degën pakistaneze të Talibanëve (TTP), e cila ka shtuar sulmet brenda vendit, përfshirë edhe sulmet e fundit vetëvrasëse kundër një gjykate në Islamabad. /Telegrafi/