Napoli ka ofruar 50 milionë euro për Icardin, por Interi kërkon shumë më tepër

Napoli ka ofruar 50 milionë euro për Mauro Icardin, mirëpo Interi ka vendosur ta shesë vetëm për 80 milionë euro, në mënyrë që ta blejë Romelu Lukakun - raporton Tuttomercatoweb.
Nerazzurrët ia kanë bërë të qartë argjentinasit se nuk është në planet e tyre dhe nuk e kanë përfshirë në turneun parasezonal në Azi.

Në ndërkohë, vlera e tij në treg ka rënë dukshëm, nga 110 milionë euro sa ishte në verën e kaluar, në 60-70 milionë euro.
Duke u bazuar në këtë, Napoli ka bërë ofertë formale në vlerë prej 50 milionë eurosh, mirëpo Interi e ka refuzuar dhe nuk dëshiron të bisedojë për një shumë më të vogël se 80 milionë euro.
Nga ana tjetër, Juventusi është duke e pritur muajin gusht për të ofruar 40 milionë euro për Icardin, i cili e ka bërë të qartë se dëshiron të luajë te kampioni i Serie A. /Telegrafi/



































