Napoli i Rrahmanit i sigurt, Borussia perfekte - Marseille mposht me rikthim Newcastlen

Napoli ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në xhiron e pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Qarabagun me rezultat 2-0.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, luajti të gjitha minutat dhe ishte një nga shtyllat kryesore të prapavijës së skuadrës italiane, që nuk lejoi asnjë gol të pësuar në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund.
Pas një pjese të parë të kujdesshme, Napoli shtoi ritmin në pjesën e dytë dhe gjeti golat vendimtarë. Scott McTominay zhbllokoi rezultatin në minutën e 66-të me një goditje të saktë nga brenda zonës, duke i dhënë epërsinë kampionit të Italisë. Vetëm shtatë minuta më vonë, presioni i vazhdueshëm i napolitanëve detyroi Marko Jankovicin të shënojë autogol, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-0.

Fitojnë Borussia Dortmund dhe Marseille, barazon Bilbao
Borussia Dortmundi regjistroi një fitore të thellë dhe dominuese ndaj Villarrealit me rezultat 4-0. Golat u shënua nga nga Guirassy (45+2’, 54’), ndërsa nga një shtuan Adeyemi (59’) dhe Svensson (90+5’).
Marseille me rikthim mposhti Newcastle, në një ndeshje me ritëm të lartë. Harvey Barnes (6’) e kaloi Newcastlen në epërsi shumë herët.

Por në pjesën e dytë, Pierre-Emerick Aubameyang shënoi dy herë (46’, 50’) duke siguruar përmbysjen dhe fitoren vendimtare për Marseille.
Slavia Prague dhe Athletic Bilbao barazuan pa gola në një ndeshje të balancuar. /Telegrafi/











































