LAJMI I FUNDIT:

Nagorno-Karabakh pushon së ekzistuari nga viti i ardhshëm

Nagorno-Karabakh pushon së ekzistuari nga viti i ardhshëm

Republika e vetëshpallur separatiste e Nagorno-Karabakh njoftoi sot vetëshpërbërjen e saj dhe shpërbërjen e të gjitha institucioneve që nga 1 janari 2024, shkruan Al Jazeera.

Dekreti i liderit të asaj enklave, Samvel Shahramanyan, shpall shpërbërjen e “të gjitha institucioneve dhe organizatave qeveritare më 1 janar 2024”, dhe thekson se si pasojë “Republika e Nagorno-Karabakut (Artsakh) pushon së ekzistuari”, transmeton Telegrafi.


Separatistët armenë në Nagorno-Karabakh pësuan një disfatë ushtarake brenda njëzet e katër orëve javën e kaluar, duke i detyruar ata të kapitullojnë ndaj Azerbajxhanit, vendit nga i cili u shkëputën pas rënies së BRSS më shumë se tridhjetë vjet më parë.

Armenia, e cila e ka mbështetur këtë territor prej dekadash, këtë herë nuk ndërhyri ushtarakisht, duke i hapur rrugën riintegrimit të rajonit në Azerbajxhan.

Në kohën sovjetike, Nagorno-Karabakh u shpall një rajon autonom brenda Azerbajxhanit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, armenët atje përmbysën kontrollin nominal të Azerbajxhanit dhe pushtuan territorin fqinj në Luftën e Parë të Karabakhut.

Nga viti 1988 deri në vitin 1994, rreth 30 mijë njerëz u vranë dhe më shumë se një milion u zhvendosën, kryesisht Azerbajxhanë.

Pas fitores së Azerbajxhanit javën e kaluar, popullsia armene filloi largimin: rreth 65 mijë njerëz nga një popullsi prej rreth 120 mijë u larguan brenda pak ditësh nga frika se mos ishin në shënjestër të represionit të Azerbajxhanit, pavarësisht premtimeve të Bakut për të respektuar të drejtat e tyre.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha këtë mëngjes se nuk do të ketë më armenë në Nagorno-Karabakh. Në dekretin e tij për shpërbërjen e republikës së vetëshpallur, lideri separatist Shahramanyan thekson se, pasi të njihen kushtet për kthimin e rajonit nën kontrollin e Azerbajxhanit, banorët dhe refugjatët do të jenë në gjendje që “individualisht të vendosin nëse do të qëndrojnë apo do të kthehen në Nagorno-Karabakh”.

Azerbajxhani ka hapur disa procedime penale kundër Ruben Vardanyan, ish-kreu i qeverisë së rajonit separatist, tha të enjten shërbimi i sigurisë i Azerbajxhanit.

Ata thanë se Vardanyan, i cili u arrestua dje, akuzohej për kalim të paligjshëm të kufirit të Azerbajxhanit dhe financim të terrorizmit dhe i është caktuar masa e paraburgimit. /Telegrafi/