Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj i ka ofruar presidentes Vjosa Osmani nënshkrimet për kandidaturën e saj për presidente, por që ajo ka refuzuar.

“I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që dimë asnjë subjekt tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë.


Madje kemi pasur edhe deklarata të subjekteve politike, në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për mosmbështetjen e Osmanit,” tha Nagavci në një konferencë për media.

Ajo shtoi se LVV është e gatshme të ofrojë nënshkrime edhe për kandidatët e subjekteve të tjera parlamentare për të shmangur situata të ngjashme me vitin 2025, kur Kuvendi kishte shkuar në zgjedhje të përsëritura.

“Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, duke marrë parasysh dinamikat aktuale dhe kohën e shkurtër deri nesër në ora 24:00 për të zgjedhur presidenten, ne si LVV kemi qenë dhe jemi të gatshëm t’iu ofrojmë nënshkrimet e deputetëve tanë edhe subjekteve të tjera parlamentare për të paraqitur kandidaturat e tyre potenciale. P.sh., ne mund të japim 10 nënshkrime për PDK-në dhe 20 për një kandidat tjetër për president. Këtë e bëjmë për të mos përsëritur situatën e vitit 2025, kur u detyruam të shkonim në zgjedhje të përsëritura, të kushtueshme dhe të panevojshme,” tha Nagavci./Telegrafi.