Na Kupi, Ja’Kupi - i Krasniqve!
Shtëpia Botuese "Rrokullia" dhe Botuesi Shkëlzen Gashi, pas botimit të librit me shumë vlerë "Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912 - të Hasan Prishtinës”, ka nxjerrë në shitje edhe një tjetër libër, me titull "GJUHA E KËPUTUN E SHQIPES" !
Nga botimet e para, sikur dhe shpalimet tjera në gazetari e publicistikë, por dhe angazhimi qytetarë, shihet se kemi të bëjmë me një botues që s`ka hall tu gjej punë shtypshkronjave, por të provokojë e darovisë mendjen e Zeitgestin e shoqërisë Kosovare...!
Në libër, trajtohen çështje nga më të ndryshmet, nyjat dhe sfidat e gjuhës standarde shqipe, si dhe sa po i del zot gjuhësia detyrave që i vihen përballë? A duhet të vazhdojë gegnishtja me “m`betë 'delja e zezë” e gjuhës shqipe, apo mund të gjenden modalitete për me i shkri edhe shumë nga tiparet shquese të saj brenda standardit ekzistues? Çfarë në të vërtetë është kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e standardit gjuhësor të vitit 1972...etj, etj?
T`gjitha, e dijë se janë preokupime shkencore, edhe të “Eqrem Çabejit Kosovarë”, linguistit tonë të shquar dhe par excellence, si dhe ish kryetarit të Akademisë se Shkencave, Dr. Rexhep Ismailit...!
Libri "GJUHA E KËPUTUN E SHQIPES", mund të gjendet në të gjitha pikat e shitjes dhe kushton veç 3 euro. Por si duket, jo vetëm ky çmim simbolik, që flet se botuesi s`është tregtarë flamujsh e “flamujsh...”, motivoi Kryparlamentarin kosovar, që si dikur ajo kënga “Enver Hoxha e mprehi shpatën...”, t`mpreh lapsin e tij të pa zhdërvjelltë, e të pa përvojë e prurje, që me teoritë e tij konspirative, staliniste e enveriste, t`gjej UDB-ën e BIA-n serbe, si sponsorizuese të këtij aktiviteti publicistik e intelektual, po aq sa edhe fisnik e bujar!
***
Në shkrimin e tij autorial, botuar në “Kosova Sot”, e mërkurë 3 mars 2010, Kryetari i Parlamentit kosovar dhe Sekretari Gjeneral i PDK-ës, Jakup Krasniqi, kishte lëshuar një Fletërrufe denoncuese për linç, ndaj Shkëlzen Gashit dhe edhe shumëkujt tjetër që s`mendojnë si ky, për çështje të caktuara!
Çfarë shkruante në pamfletin e tij Linçues Jakup Krasniqi?
Në vijim, po citojë pjesë nga fjala e Dr. J. Krasniqit, i cili mllefin e tij e fillon me: “Jam sfiduar t’u përgjigjem shkurt partizanëve kundërshtarë te gjuhës së njësuar shqipe, sepse në adresën time elektronike më erdhi njoftimi për daljen e librit “Gjuha e këputur e shqipes”, duke më obliguar kështu t’i them dy Fjalë. «“Tani, në shekullin e ri, XXI, vetë politika serbe s’po ka nge të merret me këtë çështje, sepse ka edhe halle të tjera, ndaj i ka paguar ca argatë të punojnë për ta”! Me gjasë, që të saktësojë e ta lartësojë edhe më shumë akuzën e kobshme, në vijim, zoti Krasniqi s`mjaftohet me kaq, por përsëritë dhe përforcon: «Kur ke nge, shti rruaza në pe! Sigurisht, ata që kohën e kanë të kotë edhe mund të merren me kotësi, ose, mbase, ndokush në kohën tonë i paguan edhe kotësitë e të kotëve, për të cilën gjë, në fakt, edhe nuk dyshoj shumë se po ndodh. Nuk dyshoj, sepse ata që marrin guximin për t’i përbaltur vlerat kombëtare, jo vetëm gjuhën e njësuar, nuk mund të kenë adresë tjetër. Angazhimi i tyre flet vetë. »! Mbarim citati.
Zoti Madh!
Nuk ke si të mos stepesh nga këso shpalime e akuza krejtësisht enveriane, krejtësisht absurde për kohën të cilën po jetojmë!
Shkrimi, apo më drejtë kjo mendësi e pa mend, më kujtoi, ato fletërrufetë ku s`qe kursyer as Eqrem Çabej dikur, e që lansoheshin nga idhulli i Kryeparlamentarit tonë, Enver Hoxha!
Por shkrimi e mendësia e Kryeparlamentarit tonë, ishte edhe replikë, kopje – apo simotër binjake e siemeze e asaj që dikur Ajatollah Khomeini, e pat shpaluar botërisht kundër shkrimtarit Selman Ruzhdi, ku nga çdo mysliman i devotshëm, kërkonte ekzekutimin e menjëhershëm të shkrimtarit!
Në pamfletin e tij, Jakup Krasniqi, quan e shënjon shumë intelektual në Kosovë e Shqipëri, si argat e të paguar të Serbisë, që në gegnishte e toskërishte, në 72-sh apo gjuhë “t`unifikuar”, si ta doni - i bie se janë tradhtarë!
E me tradhtarët ndërkaq, e dimë të gjithë - çka duhet bërë...!
Fundja e kemi të freskët! Na e tha së fundi edhe Nazim Bllaca - Seiko, kur shpalonte ekzekutimet që kishte bërë, ngase i kishin thënë dhe besonte, se viktimat ishin argat të Serbisë... !
Nuk jam aq i marrë të besojë, apo thjesht s`dua të besojë, se Kryeparlamentari kontrovers Jakup Krasniqi, ishte i vetëdijshëm për konsekuencat e asaj çfarë shpalonte!
Por dua të besoj, pas parasysh veti të tij burrnore, që z. Krasniqi do të gjej kurajë e t`kërkojë falje publike, dhe të tërheq, akuzën kaq të rëndë e me reperkusione eventuale...!
Shpejt mund të gjendet ndonjë i pa punë e varfëruar tej mase (çfarë kemi tepër shumë), ndonjë i mallkuem përçmimi e injorance që i bënë regjimi i korruptuar aktual - në nirvanën e ndërtimit të vilave mondane si Kryeministri Thaçi - i cili, i sensibilizuar nga konstatimet publike të Kryeparlamentarit, shënjon si armik të vendit e popullit, Shkëlzen Gashin në Prishtinë apo Primo Shllakun n`Shqipëri, Dr. Rexhep Ismailin n`Akademinë e Shkencave apo Migjen Kelmendin n`Rrokum TV, Halil Matoshin n`Koha, apo mua n`Kosova Sot!
***
Çfarë në të vërtetë është kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e standardit gjuhësor të vitit 1972?
Dallimet janë pasuri, dhe kjo është qasja e filologëve e gjuhëtarëve, te grupi etnolinguistik gjermanë...!
Çështja e shtruar nga Intelektual të Shqipërisë e Kosovës, nuk mund të kualifikohet si tradhti, e të trajtohet nga politika, siç bënë Kryetari i Parlamentit Kosovarë, me teori konspiracioni.
E drejta për të qenë ndrysh, menduar ndrysh, perceptuar ndrysh, e edhe fol gjuhën tënde, e cila s`është: as vetëm lokale, as vetëm e nënës, e as vetëm e gegëve, por pjesë e pandashme e shqipes, është e drejtë elementare...!
Po sjell një pjesë t`mrekullueshme, nga fjala shumë përmbajtjesore e fisnikut të letrave shqipe, e letrarit, gjuhëtarit e përkthyesit, Profesor Primo Shllakut, me rastin e themelimit të "Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe” (2009, Tiranë!):
“Përgjithësisht, jemi një rreth filologësh, që do të thotë: miq të fjalës. Miq të fjalës së lirë, dhe të lirisë së fjalës! Jemi miq të fjalës së krijume, pra artistike, të fjalës së studiume si objekt shkencor, të fjalës së zgjedhur; Të fjalës si mjet shoqërorë emancipues dhe i emancipimit kulturorë që buron prej saj! Jemi miq të fjalës së lezme, pra asaj elegante, si i thoshte elegancës, Martin Camaj! Dhe për fund, jemi edhe miq të së vërtetës!
Është e pa mohueshme se Shqipëria jonë ka ndryshuar shumë, gjatë këtyre vjetëve të mos-diktaturës. Objekt i një ndryshimi gati gjithkund përmbysës, ka qenë politika dhe ekonomia jonë. Impulset e brendshme në këto dy fusha, janë ndihmue e monitorue edhe prej partnerëve ndërkombëtarë, dhe për mungesë përvoje dhe dijesh vendore - ne e kemi provuar edhe dirigjimin. Kjo për faktin e thjesht të dukshëm, se ata dinin, dhe ne s`dinim. Krejt ndryshe, është puna me problemet e kulturës ndër ne. Askush nuk ndërhyn. Askush nga jashtë nuk di, e s`duhet të ndërhy. Në problemet e natyrës kulturore, ne jemi krejt vetëm, me veten tonë! Dhe çdo gjë që mund, dhe duhet të bëhet - duhet të bëhet prej nesh, dhe vetëm prej nesh...! Në këtë aspekt, Instituti ynë, krijohet për ta zbut këtë ndjenjë të vetmisë dhe për ti pri nismave në këtë fushë...
Një vëmendje të veçantë (si Institut), do ti kushtojmë dhe ekspresionit letrar të gegnishtes. Gegnishtja e shumë përfolur dhe e shumë përbuzur, e ka kohën të ngrihet në këmbë, me të gjithë hiret e me të gjitha ngjyrat, e t`mos shqetësojë më, ata që e dëgjojnë, dhe t`mos i bëj me turp - ata që e përdorin – qoftë me shkrim e qoftë me gojë...!
Gegnishtja shkruhet që prej afro 600 vjetësh, ka pas vijimësi, ka kaluar me shumë sukses, shumë skila e karibda, dhe atje ku i ashtë ngushtuar traseja, ajo për kundërveprim, ka zhvillu vertikalitete t`mahnitshme, e ka dhanë Kryevepra...
- Sot, gegnishtja, po shkruhet me sukses, por, edhe përflitet me sukses!
Ne këtu në Institut besojmë ngultas, se humbja hipotetike e k`saj Kohineje, do t`merrte me vete në “Honin e Hiçit”, edhe një pjesë substanciale të letërsisë shqipe, që fillon në shekullin e 16, e deri te krijimet e brishta, ma t`fundit të disa njerëzve konkret...
Për fatin tonë të keq, deri tashti kemi pas të bëjmë me miop të tillë, që nuk e kishin atë aftësi apstragimi sa eliminimin e gegnishtes, ta lidhnin edhe me eliminimin e pjesës më të madhe të letërsisë mece t`traditës, si dhe të asaj që është kandidate për këtë cilësim...”! Mbaron citimi i Profesor Primo Shllakut.
***
Kështu nuk flasin tradhtarët dhe t`paguarit e Serbisë, por ata që ndajnë brengën, që janë lëvrues të shqipes në letërsi, publicistikë e letrat tjera shqipe...!
Se besoj, se Sigurimet serbe të inteligjencies, kanë brengat e njëjta me ne, që lëndë të parë në punën tonë letrare e publicistike, kemi fjalën shqipe!
Dua ti them Kryeparlamanterit tanë, që ne duhet ende të mësojmë të bisedojmë e kuvendojmë, pa shpall tjetrin tradhtarë, pa e anatemuar, pa stigmatizuar tjetrin - i cili ngjanë të ketë mendim të kundërt...!
Fundja, kjo është detyrë e tij “per se”, edhe në përshkrimin e punës së tij, si Kryeparlamentar!
Patriotizmi, nuk njeh monopole, s`njeh të autorizuar, dhe s`ka askush Licencë të vras - ata që mendojnë ndysh për të ardhmen e vendit, gjuhës apo shoqërisë!
Dhe s`ka askush Licencë të mbyll gojën tjetrit!
Ne të gjithë, n`kuvendim, duhet ti zgjerojmë trasenë lumit të gjuhës amtare, e së këndejmi edhe të mendësisë shqiptare!
Aty, prurje, kanë të drejtë, që t`mos them janë të obliguar dhe të thirrur, të sjellin të gjithë...!
Por, Kryeparlamantarin, se kemi edhe t`pa dijshëm!
- Ai e dinë, edhe problemin e gjuhës!
Por me gjasë: “Nuk dinë çka donë, se nuk donë, çka dinë - (Gegnishtën)”!
Kjo, edhe përkundër faktit se vazhdon të jetë, folësi më i dobët i 72-shit, dhe edhe shkruesi saj, me shumë çalime!
Tani edhe dy fjalë!
A kemi nevojë t`mësojmë nga SHBA-të e Europianët, si të trajtojmë oponentët!
Jo!
***
Në Statutet e Shkodrës, të dhjetëvjeçarëve të parë të shek.XIV (vitet 1310!), saktësohej:
Statutet e Shkodrës,: “Mbi ata që fyejnë të tjerët me fjalët “tradhtar “ dhe që grishin për përleshje”!
Kreu 92.: “I ndalohet çdo qytetari ti drejtohet bashkëqytetarit të tij me fyerjen”ti je tradhëtar i Mbretit” ose i “Komunës” (Vendit. vërejtja ime!) si dhe të grishë në dyluftim tjetrin për çfarëdo lloj shkaku.
Kush vepron ndryshe do ti dorëzojë kryezotit tonë 500 hyperperë"!
Ishte, dënimi më lartë, i kohës dhe Statuteve të Shkodrës! Ngase është ofendimi më i madh!
Tash, fjalën e keni Ju, z. Jakup Krasniqi:



































