LAJMI I FUNDIT:

“Na keni nimue, …”

Ky shkrim nuk është analizë, as komunikatë, e as nuk është shkruar me konsensus ndërpartiak. E kam shkruar për qefin tim. Në Shqipëri, kësaj i thonë gallatë! Nëse diku ia kam qëlluar, krejt rastësisht ka qenë! Krejt si për hajgare e nisa e hajt, hajt, mbërrina te kamioni me vota… i parkuar në fund të oborrit!

Kamioni


Pasi e kishin kryer me “ndershmëri” detyrën e tyre prej përfaqësuesve të partive , në komisionet zgjedhore, komisionerët, e madje as vëzhguesit e shumtë, nuk e kishin çarë më kokën për kamionin përplot me kutia të mbushura me vota të qytetarëve të Kosovës. Shoferi i gjindshëm, e paksa kokë më vete, i mbetur pa udhëzime dhe pa drejtues, thjesht i grahi nëpër terr dhe shkoi drejt e në shtëpi , me gjithë kamion. Komisionerët dhe vëzhguesit, të cilët edhe mund të kenë shkuar të festojnë fitoren e “merituar”, kishin harruar fare se, kutia megjithatë duhen dërguar, fillimisht, për numërim, në hallkën tjetër të procesit. Nga kjo perspektivë, është e kuptueshme përse nuk janë interesuar fare për t’i numëruar votat. Së pari, krejt sondazhet na kanë treguar qartë se kush do të fitojë. Pastaj edhe qeveria aktuale e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend, kurrqysh, të humbë.

Nejse, mos të spekulojmë, por të kthehemi te shoferi i kamionit, i cili krejt konfuz në këtë situatë dhe shumë i lodhur për të marrë vendime historike, e kishte marrë vendimin i cili i ishte dukur më i arsyeshmi në atë moment. Në këtë vend ku demokracia funksionon vetëm nën dritën e reflektorëve dhe kamerave, ai mendoi se do ta lavdërojnë që e mori kamionin në shpi e nuk e la ndokund skaj rruge. Kur më në fund dikush ishte kujtuar për të, e mbase edhe për kamionin me fletëvotime, i gjori ishte arrestuar. I mbajtur nën arrest, kishte deklaruar se qëllimet e tij nuk kishin qenë aspak të këqija dhe të nesërmen ai ishte liruar. Ky është lajmi i mirë. Gjykatësi gjithsesi kishte marrë një vendim të qëlluar. Natyrisht, askush nuk e shtroi pyetjen përse askush nuk u mor në përgjegjësi për këtë shkëputje flagrante të zinxhirit të procesit të votimit. E po, si duket krejt kishin kontribuar, me takat.

Askush nuk u pyet, se nëse ka mundur të zhduket nga rruga një kamion i tërë pa u vërejtur, dhe pa u marrë askush në përgjegjësi, si mund të besohet në “paprekshmërinë” e gjithë atyre kutive të votimit, aq të vogla, aq të brishta dhe të pambrojtura, të cilat janë ndaluar për verifikim pas ankesave të shumta. E madje edhe ato që, pak a shumë duken në rregull.

Kutitë

Tash, a po flasim për kamion, apo për kuti?
Gjithsesi kutitë e anashkaluara, të cilat pastaj ishin gjetur në gjendje, që nuk përkojnë me procedurat dhe me pamjet se si duket një kuti e “ndershme”, u ndalën për auditim. Por, as 40% e kutive “të dyshuara” nuk janë diçka që duhet bërë e madhe. Kjo vëzhguesve u duket imtësi për të cilën nuk e vlen të diskutohet. Të gjithë betohen se ato janë “virgjine” ndërkohë që demokracia kosovare përpëlitet nën dhimbjet e lindjes. Çka do të dalë nga e gjithë kjo “orgji” e paparë mbi vullnetin e një populli, i cili tashmë si duket as nuk e din më se çka don?

E mira e kësaj është se të gjithë pajtohen se në dy qytezat legjendare, entuziazmi i komisionerëve kishte qenë më i madh se ai i votuesve, dhe se kjo ishte reflektuar në rezultate të cilat në zemërim e sipër u krahasuan me Korenë e Veriut dhe Shqipërinë e disa dekadave më parë. Për këtë tashmë janë bindur të gjithë qytetarët e këtij vendi të vogël, por kaq të zhurmshëm. E mbi të gjitha, për me i vënë kapak situatës, është i bindur edhe kryeambasadori, pa dyshim i vendit më mik të këtij populli, zotëria që ka dell të deklarohet edhe aty ku protokolli diplomatik nuk ia lejon.

Duke u nisur nga krejt kjo hajgare para, gjatë dhe paszgjedhore, e cila rrezikon të na bëjë të qeshim me lot, krejt prej pafuqisë dhe prej egos kolektive të lënduar, mbetemi me shpresë se negociatat që po zhvillohen, të mundësojnë barazimin e shifrave, dhe në fund të mësojmë mësimin e madh se “ kali duhet lidhur, aty ku thotë shefi”.

A është mbreti lakuriq?

Një kandidat, i një subjekti të ri, duke e përshkruar me kolorit të veçantë situatën, tha se, kur një hajn kapet me 4-5 gjëra të vjedhura, nuk mund të mbyllet çështja nëse e ka kthyer njërën nga sendet. Pastaj, ku mbetet besimi te kujdestarët (rojet) , dhe ku mbetet besimi se edhe shumë tjera nuk janë vjedhur. Mbi të gjitha, ku mbetet besimi te ligji dhe procedurat. A munden të jenë mbi ligjin edhe marrëveshjet e grupeve për ndarje të “plaçkës”, qoftë edhe nëse ajo marrëveshje sjell qetësinë, përkatësisht, qeverinë e re? Kush do t’i ftoj pas kësaj, qytetarët e këtij vendi, të dalin sërish në zgjedhje?

Summa Summarum

Procesi zgjedhor është korruptuar keq, dhe makineria ndërkombëtare po përpiqet që me një matematikë pragmatike ta mbyllë çështjen duke e ruajtur për fund fjalinë që e parashikoj qysh tani, me të cilën do të na shfajësojnë para botës: “fundja, këta në kuptimin e demokracisë janë vetëm një fëmijë i vogël trevjeçar”. Roli i disa përfaqësuesve ndërkombëtarë në krejt këtë “lojë” nuk ishte edhe aq frytdhënës, dhe ndërhyrjet në procesin parazgjedhor dhe zgjedhor, me anime e arnime, si po duket kanë krijuar konfuzion tek qytetarët.

Mirënjohja e qytetarëve për krejt këtë ndihmë të parezervë gjatë këtyre votimeve, kam frikë se mund të jetë e ngjashme me atë videon famoze në youTube, kur një nënë dëshmori e “falënderon” kryeministrin e atëhershëm , duke i thënë : “Na keni nimue, na keni kënaq, na….”.