Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se po vazhdon procesi i rregullimit dhe rinovimit të lodrave në hapësirat e dedikuara për fëmijë në lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Musmurati ka bërë të ditur se në Parkun e Qytetit, Kolovicë dhe Breg të Diellit janë renovuar lodrat, ndërsa hapësirat janë bërë gati për t’u shfrytëzuar nga fëmijët.


“Po vazhdojmë me i rregullu lodrat nëpër lagje”, ka shkruar Musmurati, duke theksuar se procesi do të shtrihet edhe në lagje të tjera të Prishtinës.

Sipas saj, pas përfundimit të punimeve në këto hapësira, radhën për renovim e kanë edhe lagje të tjera, me synimin për të krijuar ambiente më të përshtatshme dhe të sigurta për fëmijët. /Telegrafi/