Musliu: Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Lista Serbe ka shkelur hapur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e heshtjes zgjedhore.
Sipas Musliut, pas një fushate të ashpër kundër partive të tjera që përfaqësojnë komunitetin serb, e cila sipas tij është zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe strukturave të lidhura me Milan Radojçiqin, sot në Mitrovicën e Veriut po vërehen shkelje serioze të ligjit zgjedhor.
Ai ka theksuar se Rregullorja Zgjedhore Nr. 07/2024, konkretisht Neni 8, përcakton qartë veprimet e ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore.
Sipas këtij neni, nga momenti i hapjes së qendrave të votimit deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre u ndalohet mbajtja e takimeve me qëllim fushate apo grumbullimi i zyrtarëve dhe simpatizantëve në afërsi të qendrave të votimit.
“Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut dhe në komuna të tjera, pikërisht në ditën kur kanë filluar votimet dhe kur heshtja zgjedhore është zyrtarisht në fuqi”, ka deklaruar Musliu.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores zgjedhore dhe kërkojnë reagim institucional.
Ai ka bërë thirrje që institucionet relevante, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, të ndërmarrin masa ligjore ndaj këtyre shkeljeve.
Musliu ka rikujtuar gjithashtu se Lista Serbe edhe gjatë fushatës zgjedhore është ndëshkuar financiarisht, duke u dënuar me 30 mijë euro, pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri të vendit për shkelje të ligjit. /Telegrafi/









































