LAJMI I FUNDIT:

Mushkolaj: Të nxirret Ligji për bashkësitë fetare sa më parë

Mushkolaj: Të nxirret Ligji për bashkësitë fetare sa më parë

Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj gjatë intervistës për Telegrafin ka folur edhe për zyrtarizimin e bashkësive fetare në vend.

Mushkolaj ka thënë se asnjë bashkësi fetare nuk është e zyrtarizuar në Kosovë.


“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që e përmendët më herët këtu nuk është i përfshirë, pasi këtu është i përfshirë një dimension tjetër. Çështja e Manastirit të Deçanit tani më te ne dhe prej nxjerrjes së atij aktgjykimi është çështje e sundimit të ligjit… Realisht Kisha Ortodokse Serbe, po asnjë bashkësi fetare nuk është e zyrtarizuar në Kosovë. Ne nuk kemi Ligj për bashkësitë fetare. Nëse ne jemi mjaft të mençur se ai plani operacional e ka rëndësinë e vet, ne e përshpejtojmë kohën për mos me bë diçka të veçantë, se kemi me u detyru…por kemi mundësi të realizojmë pjesën e zyrtarizmit dhe formalizmit të Kishës ortodokse serbe në mënyrë shumë të thjeshtë. Ne nuk kemi zbatuar, dhe kemi shumë pjesë të Kushtetutës sonë sidomos në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut që iu takojnë dhe personave juridik që nuk e kemi bërë realitet, sepse është shumë shpejt”.

Ish-gjyqtarja në Gjykatën Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj gjatë intervistës për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova/
Nuk ka më fusnotë, Kosova tash e tutje është në nivel komplet tjetër ndërkombëtar – juristja Mushkolaj zbërthen Propozimin evropian
Lexo po ashtu Nuk ka më fusnotë, Kosova tash e tutje është në nivel komplet tjetër ndërkombëtar – juristja Mushkolaj zbërthen Propozimin evropian

Ajo potencoi se Kosova duhet që sa më parë të miratojë Ligjin për Bashkësitë fetare dhe se nëse nuk e miraton sa më shpejt mund të rrëshqas në një terren të panjohur.

“Nëse ne kemi sukses dhe dimë si pozitë dhe opozitë që t’i ndajmë çështjet nacionale, ne duhet të miratojmë sa më shpejt që është e mundur Ligjin për regjistrim të bashkësive fetare, dhe me atë ligj rregullohet formalizimi i Kishës Ortodokse serbe, dhe nëse nuk e bëjmë ne mund të rrëshqasim në një terren që nuk dimë nga do të na çojë e Ligjin për regjistrim të bashkësive fetare kemi përsëri me nxjerr, se ndodh që për një gjë tepër të rëndësishme ne nuk mund ta arrijmë në këtë rrugëtimin tjetër për BE…”, vlerësoi ajo gjatë intervistës për Telegrafin.

Ish-gjyqtarja në Gjykatën Kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj gjatë intervistës me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu /Foto: Ridvan Slivova

Juristja Mushkolaj tha më tej se me anë të Ligjit për Bashkësitë fetare Kosovës mund t’i hapen më shumë dyer për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Ne kemi apliku për në Këshillin e Evropës, dhe ende nuk na u ka hap dera për vazhdim të procesit, nesër KE thotë ‘ku po doni me shku, merruni me atë ligj’, për zbatim të Kushtetutës tonë, jo të ndonjë dokumenti me Serbi. Ne e parandalojmë që të rrëshqasim në ndonjë terren të panjohur dhe e rregullojmë terrenin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ku këtu ne e kemi siguruar që Serbia mos me na pengu. Kur nuk na pengon Serbia edhe shtetet tjera mosnjohëse nuk mund të ndërhyjnë”, tha Mushkolaj.

Juristja thotë se Kosova duhet ta nxjerr Ligjin për bashkësitë fetare duke u bazuar në standardet evropiane. /Telegrafi/