LAJMI I FUNDIT:

Murgu dhe prostituta

Murgu dhe prostituta

Paulo Coelho

’Një murg jetonte pranë tempullit të Shivas. Në shtëpinë përballë jetonte një prostitutë. Duke parë numrin e madh të burrave që e vizitonin, murgu vendosi t’i flasë.

“Ti je mëkatare e madhe”, i tha ai. “Zbulon mungesën e respektit për Zotin përditë dhe përnatë. A nuk ndalesh ndonjëherë, e të mendosh se çfarë do të ndodhë me ty pas vdekjes?”

Gruaja e gjorë u trondit shumë nga ajo që i tha murgu. Ajo iu lut Zotit për falje. I kërkoi gjithashtu Perëndisë që t’i gjente një tjetër mënyrë për të fituar bukën e gojës.

Por, nuk mund të gjente punë dhe, pasi qëndroi e uritur për një javë, iu rikthye prostitucionit. Sa herë që i jepte trupin e saj një të huaji, i lutej Zotit që ta falte. I mërzitur se këshilla e tij nuk kish pasur efekt, murgu mendoi me vete: “Që sot e tutje, do numëroj burrat që hyjnë në atë shtëpi, deri kur mëkatarja të vdesë”.

Dhe, nga ai moment, ai nuk bëri asgjë, por vetëm pa ata që hynin e dilnin nga shtëpia e prostitutës, dhe për çdo burrë që hynte, i shtonte një gur pirgut të gurëve që kish në krah.

Pas pak kohësh, murgu i foli sërish prostitutës dhe i tha: “E sheh atë pirg me gurë? Secili gur përfaqëson një mëkat që ke bërë, pavarësisht paralajmërimeve të mia. Po ta them edhe një herë: mos mëkato më!”

Duke parë si grumbulloheshin mëkatet e saj, gruaja nisi të dridhej. Me t’u kthyer në shtëpi, nisi të qajë dhe t’i lutet Zotit: “O Zot, kur do të më çlirojë mëshira jote nga kjo jetë e shthurur?”

Lutja e saj u dëgjua. Po atë ditë, engjëlli i vdekjes erdhi në shtëpinë e saj dhe e mori me vete. Me urdhër të Perëndisë, engjëlli kaloi rrugën dhe mori edhe murgun.

Shpirti i prostitutës shkoi drejt e në Parajsë, ndërsa djajtë e morën murgun me vete në Ferr. Ata u shkëmbyen rrugës dhe kur murgu pa atë që po ndodhte, thirri: “A është kjo drejtësia jote, Zot? E kalova gjithë jetën time me devocion dhe varfëri, dhe tani më shpie në Ferr, ndërsa ajo prostitutë, që jetoi në mëkat, po shkon në Parajsë?”

Duke dëgjuar këtë, një nga engjëjt u përgjigj:

“Ti mendove se dashuria e Zotit nënkuptonte të rrije e të gjykoje sjelljen e fqinjës. Ndërkohë që ti mbushje zemrën tënde me papastërtinë e një tjetër mëkati, kjo grua lutej natë e ditë. Shpirti i saj është kaq i lehtë pas gjithë lotëve që ka derdhur, saqë ne mund ta mbajmë kollaj për në Parajsë. Shpirti yt është kaq i rënduar nga gurët, saqë nuk mund të ngrihet”.