LAJMI I FUNDIT:

Murati: Minatorët e “Trepçës” duhet të tregojnë që janë të gatshëm për të mirën e ndërmarrjes

Murati: Minatorët e “Trepçës” duhet të tregojnë që janë të gatshëm për të mirën e ndërmarrjes

Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se stafi dhe minatorët e “Trepçës” duhet të tregojnë që janë të gatshëm për më të mirën e ndërmarrjes. Sipas tij, deri më tani janë ndarë rreth 20 milionë euro mbështetje për këtë ndërmarrje. Ndërkaq, sa i përket vendimit të qeverisë për t’i dhënë kredi “Trepçës”, Murati shtoi se ekipet teknike janë negocim dhe duhet të sigurohet kapaciteti pagues i ndërmarrjes.

Kështu u shpreh ai në konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua projektbuxheti për vitin 2024.


“Parashihet që fillimisht te kategoria ‘paga dhe shtesa’ të ketë rritje të koeficientit ashtu siç kemi premtuar në fillim të këtij viti. Koeficienti i pagave nga 105 euro bëhet në 110, kjo nënkupton që paga mesatare në sektorin publik të jetë rreth 780 euro bruto apo të ketë rritje të theksuar krahasuar me vitet paraprake. Nëse marrim në një periudhë pesë-vjeçare shihet se ka rritje buxheti i pagave për rreth 30 për qind, që nënkupton që lëre që është mirëmbajtur fuqia blerëse por ka rritje reale në sektorë të caktuar. Tek kapitalet ka edhe aty një rritje, vlera është 860 milionë euro tek investimet kapitale”, deklaroi ai.

Greva në Trepçë - 15 minatorë deri tash kanë kërkuar ndihmë mjekësore
Lexo po ashtu Greva në Trepçë - 15 minatorë deri tash kanë kërkuar ndihmë mjekësore

Ai theksoi se në këtë buxhet është paraparë edhe programi për banimin e përballueshëm dhe për banimin social.

“Sa i përket programit për banimin e përballueshëm dhe për banimin social edhe kjo është e përfshirë në buxhet dhe presim që shumë shpejt edhe kjo masë, njëlloj si masat tjera që janë bërë në vitet paraprake, të fillojë zbatimin. Normalisht që është më komplekse dhe ka marrë paksa kohë. Është dashur të bëhet studimi i fizibilitetit me Organizatat e Kombeve të Bashkuara, është bërë negocimi i marrëveshjes për financim me Bankën Zhvillimore Evropiane dhe tash jemi në përfundim e sipër të kësaj marrëveshje. Pra janë disa procedura të cilat kanë qenë patjetër të patejkalueshme dhe na është dashur t’i bëjmë që të vijmë te një model specifik se si të bëhet kjo zgjidhje. Dhe besoj që gjatë vitit tjetër do të kemi edhe fillimin e zbatimit të kësaj mase”, u shpreh ai.

Sa i përket vendimit të qeverisë në shkurt të këtij viti për mbështetje të “Trepçës” me kredi, ai tha se ekipet teknike janë negocim.

“Ekipet teknike janë në negocim, kanë qenë në negocim me menaxhmentin e ‘Trepçës’, çështja është që duhet çdoherë të sigurohet sepse bëhet fjalë për kredi, për huadhënie, duhet të sigurohet kapaciteti pagues i ndërmarrjes, njësoj siç ka qenë me Telekomin e Kosovës… ‘Trepça’ duhet të tregojë edhe stafi edhe minatorët të tregojnë që janë të gatshëm të bëjnë më të mirën e mundshme për ndërmarrjen, të gjithë bashkë në mënyrë që bashkërisht ta çojmë ndërmarrjen përpara”, tha Murati.

Tutje, tha se mbështetja për këtë ndërmarrje nga ana e qeverisë nuk ka munguar.

“Ministria ka treguar që deri më tani rreth 20 milionë euro ka qenë mbështetja direkte për ‘Trepçën’. Nuk është se nuk ka pasur mbështetje nga qeveria dhe ato janë para të taksapaguesve. Madje kanë qenë subvencion, nuk ka nevojë as të kthehen. Mirëpo duhet të sigurohemi që ka një zhvillim të qëndrueshëm të ndërmarrjes, i cili arrihet vetëm kur të gjithë punojnë së bashku”, deklaroi ai pas mbledhjes së qeverisë.

Për vitin e ardhshëm, sipas këtij projektligji, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. /kp/Telegrafi/