Munter: Kosova është shtet i pavarur

"Statusi i Kosovës është zgjidhur. Ajo (Kosova) është shtet i pavarur. Megjithatë, çdoherë jemi të lumtur kur fqinjët janë në gjendje të bisedojnë për çështjet praktike, që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e njerëzve - kur flasin për të ardhmen e rajonit, sigurinë, përparimin e qytetarëve - andaj, nuk do të kishim vërejtje nëse Prishtina dhe Beogradi do të bisedonin mes tyre, dhe më të tjerët në rajon, mirëpo konsiderojmë se çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur”, ka thënë Munter në një intervistë për gazetën Politika.
I pyetur nëse Beogradi nuk pranon të flasë me Prishtinën si fqinj, Munter ka thënë: “Se në çfarë mënyre do ta bënit këtë - do të jetë vendimi i qeverisë suaj”. "Mënyra se si shohim ne stabilitetin në Ballkan është që, shtetet si Serbia e Kosova të jenë të integruara në institucionet perëndimore e evropiane, të cilave u takojnë”, ka shtuar ai.
Munter ka hedhur poshtë pohimin se ka pasur presion nga ana e SHBA-ve ndaj disa shteteve evropiane për ta njohur pavarësinë e Kosovës. "Kur flisni me njerëzit nga shtetet evropiane dhe ato botërore, dëgjoni se kanë marrë një vendim të tillë pasi besojnë se është vendim i duhur”, ka thënë ai. /Telegrafi/














































