LAJMI I FUNDIT:

Mungesa e investimeve shkak që transporti hekurudhor nuk përdoret në Kosovë

Mungesa e investimeve shkak që transporti hekurudhor nuk përdoret në Kosovë

Numri i vogël i linjave, mungesa e investimeve në trenat e udhëtarëve dhe problemet që kanë pasur me ngrohje e ndriçim, kanë bërë që numri i udhëtarëve në Kosovë që përdorin trenin si mjet transporti të shënojë vazhdimisht rënie.

Në rënie të këtij numri ka ndikuar edhe numri i kufizuar i linjave, pasi aktualisht në Kosovë operojnë vetëm 6 trena, të cilët mbajnë dy linja – një për Pejë dhe një për Han të Elezit.

Hekurudhat e Kosovës menaxhohen nga dy kompani, Infrakos që merret me menaxhimin e infrastrukturës dhe Trainkos që merret me transportin.


Zyrtarë të kësaj të fundit thonë se në dy linjat që operojnë ka frekuentim solid të udhëtarëve.

Drejtori për Zhvillimin e Bizneseve në Trainkos, Liridon Drenica, për KosovaPress ka thënë se një kohë janë përballur me shumë probleme dhe vonesa të mjeteve lëvizëse, që kanë ndikuar që qytetarët të humbasin besimin në transportin hekurudhor.

“Ne, vitin e kaluar, kemi bërë disa investime kapitale në transportin e udhëtarëve, që nënkupton se kemi blerë vagonë të udhëtarëve, 10 vagonë të cilët i përmbushin kushtet optimale për transport. Në të kaluarën jemi ballafaquar me kushte jo të mira, që kemi pasur probleme me ngrohje, kemi pasur problem me ndriçim, që njëkohësisht ka shkaktuar edhe rënien e numrit të udhëtarëve. Mirëpo, vitin e kaluar neve e kemi bërë një investim kapital, jemi furnizuar me 10 vagonë të cilët i plotësojnë kushtet optimale, sot kemi një ngrohje stabile në vagonët e udhëtarëve, kemi edhe ndriçimin. Njëkohësisht, një atribut shumë i veçantë që pak janë të informuar në Kosovë që vagonët e udhëtarëve ofrojnë edhe internet. Këtë projekt e kemi pilot projekt, i cili është duke u monitoruar dhe është duke u bërë përgatitja finale për implementimin e këtij projekti, që besojmë që prej vitit të ardhshëm interneti ka me qe në shumë stabil dhe funksional”, është shprehur ai.

Përkundër numrit të vogël të linjave, Drenica thotë se ofrojnë beneficione të shumta për ata që zgjedhin të udhëtojnë me tren, ku këtu hyjnë lirimet nga pagesa.

Ai ka bërë të ditur se nga pagesa e biletës lirohen të gjitha kategoritë e dala nga lufta, rastet sociale, ndërsa zbritje në bileta përfitojnë edhe studentët, të cilët paguajnë 50 për qind më pak. Çmimi më i lartë që një udhëtar mund të paguajë brenda vendit është 3 euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, ka thënë se janë në procedura për fillimin e investimeve në rrjetin ekzistues hekurudhor.

Sipas tij, kjo ndërmarrje menaxhon edhe me stacionet e trenave, që aktualisht janë në gjendje jo shumë të mirë.

Thaçi thotë se stacionet janë të amortizuara dhe nuk është investuar me vite të tëra.

“Gjendja nuk është e kënaqshme, sepse pa investime nuk mund të prodhosh ndonjë gjendje më të mirë, por ne i kemi mbajtur me mundësitë tona, me buxhetin tonë jemi munduar që të kujdesemi që t’iu krijojmë qytetarëve hapësira, dhoma pritje, për shembull në stacionin qendror në Fushë Kosovë nuk është gjendja edhe shumë e keqe. Por, nuk shfrytëzohet shumë, sepse edhe nuk ka transport shumë. Nëse flasim për disa stacione më të vogla sigurisht që gjendja është shumë më e dobët, mirëpo le të themi ka hapësira pritje, nuk është se nuk ka, ka edhe intervenuar për pritje si në stacionin e Prishtinës, në stacionin e Ferizajt, Lipjanit e të tjera. Por, ne megjithatë për shkak të vjetërsisë së atyre objekteve, amortizimit të atyre objekteve, ne kemi paraparë që ato të riparohen, të rinovohen dhe të sjellën në standarde që i ka hije një stacioni hekurudhor që qytetari ta merr shërbimin sa më kualitativ”, ka deklarua r ai.

Trainkos përveç transportit të udhëtarëve, shërbim e ka edhe transportin e mallrave.

Drejtori për Zhvillimin e Bizneseve në Trainkos, Liridon Drenica, ndër tjerash, ka bërë të ditur se operojnë vetëm për një linjë ndërkombëtare – kanali përmes Maqedonisë.

Kosova ka pasur edhe një kanal tjetër ndërkombëtar që ka qenë përmes veriut të Kosovës, por që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, kjo linjë është mbyllur.

“Ne sot operojmë në tregun lokal dhe në tregun ndërkombëtar. Në tregun lokal neve kemi 100 për qind transportin të transportit të xehes për kompaninë më të madhe të nikelit në vend Ferronikelit, njëkohësisht për këtë kompani organizojmë edhe transportin ndërkombëtar, në këtë rast bëhet importi dhe eksporti i lëndës finale. Në këtë fushë transportin e mallrave e kemi shti edhe në industrinë e derivateve, kompani të ndryshme të derivateve e sjellin mallin me tren. Mirëpo, siç e ceka më herët, ndoshta problemi kryesor që ne ballafaqohemi është qasja në tregun ndërkombëtar vetëm në një kanal ndërkombëtar, siç është kanali përmes Maqedonisë, që për bizneset që vijnë nga Evropa është një problem për shkak se zgjatet vija e transportit. Në këtë rast rritet edhe kostoja e transportit”, ka deklaruar ai.

Trainkos realizon dy vija të rregullta për Maqedoni, ku çdo ditë operojnë dy trena për transportin e mallrave.

Me gjithë problemet që përballen hekurudhat e Kosovës, edhe sot ka udhëtarë që përdorin trenin.

Qytetarët që kishin zgjedhur të udhëtojnë nga Peja për në Prishtinë, thonë se e kanë zgjedhur trenin për shkak të sigurisë që ofron.

Studenti Mujë Krasniqi thotë se me investimet e fundit që janë bërë, udhëtimi me tren është bërë shumë atraktiv.

“Ndoshta siguria është mbi të gjitha, rruga ndoshta vonon pak më shumë, por je më i sigurt. Treni i ri që tash është bërë është shumë më i mirë sesa treni i vjetër, ka edhe wifi. Përveç në rrugë, edhe në tunele, është një kënaqësi krejt më ndryshe, po edhe nëse me shoqëri nëse je mundesh me kalua shumë mirë”, ka thënë ai.

Edhe Bedri Gashi thotë se treni i ofron komoditet më të madh se mjetet e tjera të transportit.

“E përdori trenin për arsye se është komod, është pak më lirë se autobusi dhe është më komod, më mirë, më i gjanë vend ki më shumë, të gjitha”, tha ai.

Transporti hekurudhor vlerësohet nga njohësit e fushës si një nga linjat më të mira të transportit rrugor, me përparësi siç është siguria më e madhe në krahasim me mjetet tjera, çmimi më i lirë dhe ndotja më e vogël e mjedisit. /KP /Telegrafi/