LAJMI I FUNDIT:

A mund të keqpërdoret falja presidenciale e të burgosurve?

A mund të keqpërdoret falja presidenciale e të burgosurve?
Foto: Ilusttrim

Rreth një muaj burg i ka mbetur Ruzhdi Misinit, i dënuar për vrasjen e Agron Arifit në vitin 2010.

Misini që ishte dënuar me 13 vjet burg, përfitoi nga dekreti i vitit 2018 nga presidenti i atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi i cili ia fali dy vjet nga koha e dënimit.

Që nga ajo kohë, Arbenita Arifi, vajza e të vrarit e ka kundërshtuar verbalisht dhe me shkresa ligjore këtë vendim të presidentit dhe çështjen e ka dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Krejt më kanë refuzuar, më kanë thënë është dekret i presidentit, nuk kemi çka të bëjmë”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo e konsideron poshtëruese faktin se të dënuarit për vrasjen e babait të saj po i falet dënimi, duke mos pasur asnjë konsultë me familjen e saj, si palë e dëmtuar.

“Krimineli edhe e ka kryer vrasjen, neve na ka shkatërruar dhe prapë është liruar nga shteti. E ne, pala e dëmtuar, edhe pa kryefamiljar dhe të shkelur edhe nga Zoti edhe nga drejtësia në Kosovë”, thotë Arifi.

Arifi kishte dërguar edhe kallëzim penal ndaj ish-presidentit Thaçi, por thotë se për këtë nuk u mor asnjëherë ndonjë hap nga organet e drejtësisë.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 10 korrik 2019, u tha se është refuzuar ankesa e Arifit.

Gjykata vlerësoi se “dekreti i presidentit nuk iu ka referuar asnjë situate që prekë të drejtat e ndonjë personi tjetër dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të ketë efekte të shkeljeve të supozuara të të drejtave dhe lirive të parashtrueses së kërkesës”.

Kur presidenti mund të falë të burgosurit?

Presidentëve të Kosovës iu është dhëna e drejta për faljen e të burgosurve vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

Në fund të vitit 2008 hyri në fuqi Ligji për falje, që përcakton të drejtat dhe kufizimet presidentit për falje.

Sipas këtij ligji, “falja është e drejtë e presidentit që ka për qëllim përdorimin e një mjeti jo të rregullt e të rrallë për t’i shpërblyer sjelljet dhe karakteret e jashtëzakonshme ose t’i adresojë shqetësimet e jashtëzakonshme humanitare”.

Në këtë ligj, ndër kriteret për falje thuhet se rrethanat që mund të shqyrtohen janë: Pesha e krimit, rreziku i recidivizmit (përsëritjes së veprës), pendimi i sinqertë (i të dënuarit/ës) si dhe shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm.

Nga falja përjashtohen të dënuar për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, për falje kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë të dënuarit dhe këto aplikime shqyrtohen edhe nga një Komision për shqyrtimin e kërkesave për falje.

Megjithatë, presidenti ka të drejtën ekskluzive për marrjen e vendimit për falje apo jo.

Kush nga presidentët fali më shumë?

Fatmir Sejdiu ishte presidenti i parë i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë që iu dha e drejta për të falur të burgosur.

Nga presidentët që deri më tani ka pasur Kosova, Sejdiu e shfrytëzoi më së shumti këtë të drejtë pasi fali 124 të burgosur brenda mandatit 1,690 ditësh.

Më pak fali presidentja Atifete Jahjaga me dekrete e lëshuara për 21 të burgosur për 1,827 ditë sa ishte në krye të shtetit.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, presidentja aktuale e Kosovës ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Tradicionalisht, presidentët kanë shpallur dekrete për falje rreth datës së përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi shpalli shpesh disa dekrete brenda vitit në data të ndryshme, duke përfshirë edhe datat afër fundvitit.

Që nga viti 2009 e tutje, sipas dekreteve të publikuara në faqen zyrtare të Presidencës, në total janë falur 316 persona, nga ta vetëm 17 gra.

Miftaraj: E drejta për falje është keqpërdorur

Falja e të dënuarve me vepra të rënda si dhe pa kritere të caktuara po shihet si një nga problematikat me të drejtën e presidentit për falje, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në hulumtimin që IKD-ja e kishte publikuar në vitin 2013 ishte konstatuar se në kategorinë e të falurve nga presidenti Fatmir Sejdiu e ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ishin përfshirë të dënuar për vrasje mizore, vrasje të rënda, krim të organizuar, vepra të ndërlidhura me narkotikë, dhunim, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës.

Ehat Miftaraj nga ky institut, thotë se edhe sot mund të konstatohen shkelje nga e drejta e presidentëve për falje.

“Presidentë të caktuar këtë të drejtë jo rrallë herë e kanë keqpërdorur duke falur persona që edhe në bazë të ligjit kanë hyrë në kategori që nuk mund të përfitojnë nga falja”, thotë ai.

Kujtojmë se ish-presidenti, Hashim Thaçi një ditë para se të jepte dorëheqje nga pozita për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, kishte falur të akuzuar në rastin “Bllaca”.

Thaçi fali Bekim Sylën dhe Shpresim Ukën. Bekim Syla ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me 12 vjet burg. Ndërkaq, Shpresim Uka në po të njëjtin rast dhe është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me 14 vjet burgim.

Përveç shkeljeve të kritereve ligjore, sipas Miftarajt, presidentët duhet të kenë kujdes që përmes faljeve të mos promovojnë apo stimulojnë vepra të caktuara penale.

“Persona të cilët kanë kryer vepra penale të caktuara, që në kohët e fundit janë kthyer në fenomomen, dhe përmes të cilave dërgohet mesazhi i faljes apo edhe i promovimit të dukurive të caktuara negative që ndodhin në Kosovë”, shprehet ai.

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht në institucionet korrektuese janë 1,642 persona të burgosur, prej tyre 574 janë të paraburgosur, ndërsa 1,068 janë të dënuar.

Nga ky numër, 1,603 janë burra dhe 39 janë gra. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori