LAJMI I FUNDIT:

A mund ta vendosni rripin e shtatzënisë?

A mund ta vendosni rripin e shtatzënisë?

Sapo të fillojë t’ju duket barku do të merrni këshilla dhe rekomandime se çfarë duhet të bëni dhe se çfarë është e rrezikshme gjatë shtatzënisë.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725


Shumë nga shoqet do t’ju thonë se është mirë që të vendosni të ashtuquajturin rripin e shtatzënisë. Mund të keni mëdyshje se a është mirë apo përkundrazi ky kaish mund të jetë i rrezikshëm.

Nuk ka fakte shkencore se rripi ka ndikim pozitiv si gjatë shtatzënisë ashtu edhe pas lindjes. Kjo vlen edhe për bindjen se nëse e vendosni atë, ju do të humbni peshë më shpejt.

Por, a do të thotë se nuk ka asnjë dobi nga vendosja e rripit? Jo, përkundrazi ka disa të mira!

Disa shtatzëna në javët e fundit të shtatzënisë mezi ecin. Për shkak të peshës së shtuar ato lëkunden herë majtas e herë djathtas (e ecura e tyre përshkruhet sikur ecja e patës).

Pesha e shtuar e pengon mbajtjen e drejtpeshimit, ndikon në qëndrimin vertikal të trupit të shtatzënës si dhe në mënyrën se si ajo ecë. Shkaktohet presion në pjesën e poshtme të shpinës, në muskujt, nyejt dhe në ligamentet duke bërë që shtatzëna të ketë shumë dhimbje.

Nga ky fenomen shpeshherë shkaktohet dhimbje në bark, kërdhokulla dhe kofsha. Intensiteti i dhimbjes varet se sa shpejt i bën shtatzëna lëvizjet, që do të thotë se nëse lëvizjet janë të menjëhershme e të shpejta, dhimbja do të jetë më e shprehur.

Kjo ndodhë për shkak se pesha e shtuar trupore i tendos ligamentet e mitrës (ligamentet rotunde) të cilat e lidhin mitrën e pjesën e sipërme të kofshës.

Sipas një studimi rreth 71% e shtatzënave kanë dhimbje të shpinës, kurse 65% kanë dhimbje në pelvik. Në këtë rast, nëse ju vendosni rripi, atëherë pesha e bebes shpërndahet në mënyrë më të njëtrajtshme.

Rrjedhimisht, pesha shpërndahet afërsisht njëjtë në shpinë e pelvik dhe rrjedhimisht ulet presioni në muskujt e barkut, në ligamentet, nyje dhe në shpinë.

Dhimbja e barkut shkaktohet nga dhimbja e ligamenteve sakroiliake, poashtu ka origjinë edhe nga tendosja e muskujve si dhe nga rritja e mitrës (që i tendos ligamentet rotunde). Dhimbja mund të shkaktohet edhe për shkak të presionit që ushtrohet në nervin iskiadik.

Kjo dhimbje mund të lehtësohet nëse ju vendosni rripin.

Nëse duhet të rrini për një kohë të gjatë në këmbë, atëherë rripi bën që të suportohet pesha e mitrës së rritur dhe rrjedhimisht të ulet diskomforti dhe dhimbja që mund të keni kur bëni aktivitete të caktuara fizike.

Nëse keni dhimbje ose parehati, kjo ndikon edhe në përqendrimin mendor dhe rrjedhimisht edhe në efikasitetit tuaj në punë, prandaj rripi është një zgjidhje e mirë për t’ju mundësuar që të punoni normalisht deri në javët e fundit të shtatzënisë.

Por, duhet ta kini parasysh që të mos e mbani rripin pandërprerë, sepse kjo mund të shkaktojë dobësimin e muskujve të barkut ose mund ta shtrëngojë shumë barkut gjë që mund të ndikojë në qarkullimin e gjakut. Ndonjëherë, nëse e mban për shumë orë gjatë ditës, kjo mund të shkaktojë pengesa në punën e lukthit dhe të zorrëve (urthi apo djegia prapa dërrasës së gjoksit).

Një përparësi tjetër e rripit është se mund ta vendosni edhe pas lindjes. Ai i përmbledh muskujt dhe e lehtëson presionin në ligamentet e pelvikut. Duhet ta keni parasysh se kjo nuk mund të jetë një zgjidhje e përhershme. Ju duhet të filloni me ushtrime trupore në mënyrë që të hiqni kilogramët e shtuar gjatë shtatzënisë si dhe që të forconi muskujt dhe ligamentet.

Para se të vendosni duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Rripin vendosni për disa orë gjatë ditës dhe jo pandërprerë. Kjo vlen sidomos për shtatzënat të cilat kanë shtatzëni me binjakë ose trenjakë dhe kur pesha e mitrës është e pritshme që të jetë më e madhe. /Telegrafi/