Në kuadër të procesit të rivlerësimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për vitin 2025 në Komunën e Dragashit, ekipi profesional i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vizituar edhe Mullirin e familjes Misini, në fshatin Zgatar.

Sipas njoftimit të QRTK-së, ky aset përmban vlera historike dhe kulturore për rajonin.


“Ky mulli, që përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike dhe kulturore për rajonin, u inspektua me qëllim të dokumentimit të gjendjes aktuale dhe kryerjes së matjeve teknike të nevojshme për përgatitjen e planeve arkitektonike. Gjatë vizitës, u analizua si arkitektura e jashtme, e cila dëshmon për harmoninë e objektit me mjedisin natyror, ashtu edhe hapësirat e brendshme funksionale, të pasura me elemente autentike”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë sqarohet se matjet dhe dokumentacioni vizual i realizuar në vendngjarje përbëjnë bazën për fazat e mëtejme të procesit të rivlerësimit, si dhe për hartimin e strategjive për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Komunës.

“Ky angazhim i QRTK-së në Prizren është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për të identifikuar, dokumentuar dhe valorizuar asetet e trashëgimisë kulturore në mbarë rajonin”, përfundon njoftimi i QRTK-së në Prizren. /Telegrafi/