Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari aktual i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shprehur mirënjohje ndaj bashkatdhetarëve për përkrahjen e dhënë në votat me postë, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në një reagim në rrjete sociale, Muhaxheri ka falënderuar diasporën për, siç e ka quajtur, “përkrahjen e jashtëzakonshme” ndaj tij dhe subjektit që përfaqëson, përcjell Telegrafi.




“Pas numërimit të votave me postë, dua t’i falënderoj të gjithë bashkatdhetarët tanë në Evropë, SHBA e kudo në botë për përkrahjen e jashtëzakonshme! Ju na dhatë mbi gjysmën e votave, një besim i madh që na jep forcë për hapin e fundit: fitoren e madhe në balotazh”, ka shkruar ai.

Muhaxheri shtoi se ky rezultat është dëshmi e besimit të qytetarëve ndaj punës dhe vizionit të tij për Pejën, duke theksuar se mbështetja e diasporës do të jetë motiv shtesë për fitoren në balotazhin e 9 nëntorit, ku Peja do të vendosë mes tij dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.

“Faleminderit për dashurinë, besimin dhe përkushtimin ndaj Pejës dhe LDK-së”, përfundoi ai. /Telegrafi/