Muharremaj ndër të tjera tha se e tërë garnitura politike, pa përjashtime, duhet shkuar në shtëpi dhe ajo të zëvendësohet me gjenerata të reja që ia duan të mirën vendit.

“Kjo garniturë, të gjithë që jemi, duhet shkuar në shtëpi dhe të vijnë në pushtet gjenerata të reja që ia duan të mirën shtetit. Merre me mend, shohim zyrtarë shtetërorë nëpër tregje të cilët e mbushin veturën zyrtare me pemë dhe perime. Këtu kem mbërri”, theksoi ai.


Më tutje, duke folur për të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, Muharremaj ka thënë se është gjetur shumë keqmenaxhim dhe keqpërdorime.

“Këtë e thotë raporti, jo unë. Janë mbi 512 rekomandime të cilat shteti nuk i ka marrë parasysh. Nuk janë implementuar as 20% e tyre. Rreth 89 auditime janë kryer në organizata buxhetore deri më sot. Ka keqpërdorime dhe keqmenaxhim sa të duash. Në ministrinë e Integrimeve Evropiane, dy bileta udhëtimi kanë kushtuar 9 mijë e 500 euro të cilat kanë mundur t’i blejnë për 3500 euro. Çmimet janë më të 8 herë më të mëdha në regjionin e Prizrenit sesa në regjionin e Ferizajt ose të Gjilanit. Një semering, pjesë e automjetit, në Gjilan kushton 10 euro, në Pejë kushton 20 euro dhe në Prizren 60 euro, i njëjti. Kemi dallime në çmime për të njëjtën pjesë në Doganë, në polici, në ATK... dallime enorme në çmime”, ka thënë Muharremaj, raporton Koha.net.

Sipas tij, institucioneve të Kosovës, për tri vjet, riparimi i një veture u kushton sa të blesh një veturë të re.

Ndërkaq, Artan Canhasi nga KDI, thotë se fatkeqësia është se raportet nuk pësojnë shumë ndryshime nga viti në vit.

“Gjetjet e auditorit janë skandaloze. Ja disa shembuj: në ministrinë e Arsimit kemi blerje jashtë kontratave me vlerë prej 750 mijë euro; në ministrinë e Financave, ministri e cila do të duhej të dinte për këto gjëra, kemi ndarje të prokurimeve për t’ju shmangur procedurave të hapura; ministria e Punëve të Jashtme, nga 43 kontrata, 34 janë bërë përmes kuotimeve të çmimeve.
Politika nuk po lejon të zgjedhet auditori, ligji anti-mafia është i domosdoshëm. Këtu duhet me masa të jashtëzakonshme të fillohet sepse më asgjë këtu nuk është normale. Komisioni rregullativ i prokurimit publik ka monitoruar 36 institucione dhe kanë gjetur 660 shkelje dhe nuk është dënuar askush, s’ka dënime as në licenca as në operatorë... madje s’janë futur as në listën e zezë”, ka thënë Canhasi.

Canhasi theksoi se auditori duhet t’i çojë të gjitha gjetjet në Prokurori, pasi, siç vlerësoi ai, gjetjet e auditorit janë skandaloze dhe duhet bashkëpunim më i madh mes këtyre dy institucioneve, ndërsa si skandal tjetër e cilësoi edhe mos-publikimin e financave nga shumica e partive politike.