LAJMI I FUNDIT:

MPJD reagon pas raportimit se kryetari i Listës “Guxo” në Gjermani është shpërblyer nga Donika Gërvalla

MPJD reagon pas raportimit se kryetari i Listës “Guxo” në Gjermani është shpërblyer nga Donika Gërvalla

Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diapsporës (MPJD) ka reaguar pasi gjatë ditës është raportuar se për 10 muaj rresht, kryetari i Listës ‘Guxo’ në Gjermani, Berlind Gajraku do i marrë edhe nga 1 mijë euro për secilin muaj për “diplomaci qytetare”.

MPJD e ka quajtur lajm tendencioz, duke thënë se është keqinformuar opinionin.


“Disa prej medieve elektronike sot përmes titujve tendencioz e sugjestiv kanë keqinformuar opinionin publik duke krijuar përshtypje të gabuara mbi përzgjedhjen e disa prej kandidatëve në Programin e Diplomacisë Qytetare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se informon dhe garanton opinionin publik se procesi i përzgjedhjes së 25 kandidatëve nga 84 aplikime sa ishin gjithsej ka qenë i hapur për të gjithë, i paanshëm, dhe në bazë të meritave profesionale të secilit kandidat.

“Përzgjedhja e kandidatëve për Programin për Diplomaci Qytetare ka aplikuar dhe respektuar çdo ligj, rregull apo procedurë ligjore sipas rregullave dhe ligjeve të Republikë së Kosovës dhe duke aplikuar vetëm kriterin e meritokracisë”.

Edhe kryetar i 'Guxo-s' në Gjermani, edhe 10 mijë euro prej Ministrisë së Jashtme
Lexo po ashtu Edhe kryetar i 'Guxo-s' në Gjermani, edhe 10 mijë euro prej Ministrisë së Jashtme

Sipas Ministrisë së Jashtme, përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga Komisioni Vlerësues, i cili gjithashtu ishte përzgjedhur sipas thirrjes së hapur nga MPJD.

“Për më tepër shumica e anëtarëve të këtij Komisioni ishin anëtarë jashtë MPJD-së, respektivisht përfaqësuesve nga bota akademike dhe shoqëria civile dhe përzgjedhja e kandidatëve për Programin e Diplomacisë Qytetare është bërë në diskrecion të plotë vetëm nga ky komision”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se është e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe informimin e saktë të opinionit publik për të gjitha çështjet e ministrisë dhe shpreh keqardhje që mediumet të cilat kanë publikuar këtë lajm keqinformojnë opinionin publik.

“Ritheksojmë se interesi i vetëm në këtë proces ka qenë dhe mbetet përzgjedhja e profesionistëve të rinj nga diaspora që kanë përvojë dhe kualifikime, të cilat do t’i shërbejnë ndërlidhjes më të madhe të mërgatës me vendin tonë dhe të promovimit dhe prezantimit sa më të mirë të interesave kombëtare të vendit në marrëdhëniet me jashtë”, thuhet në fund./Telegrafi/