LAJMI I FUNDIT:

MPJ: Rritet numri i shtetasve të Maqedonisë në Izrael që kërkojnë ndihmë nga institucionet

MPJ: Rritet numri i shtetasve të Maqedonisë në Izrael që kërkojnë ndihmë nga institucionet

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot kolegut të tij, ministrit Eli Koen, i shprehu ngushëllime për viktimat dhe pasojat, ndërsa dënoi ashpër sulmet e vazhdueshme ndaj Izraelit, të cilat filluan me sulmin e djeshëm të Hamasit.

Osmani rikonfirmoi qëndrimin e Ministrisë, për lirimin e menjëhershëm të të gjithë civilëve të mbajtur peng nga Hamasi, si dhe ndërprerjen e menjëhershme të çdo aksioni të dhunshëm kundër Izraelit.


Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në mëngjesin e sotëm, me procedurë urgjente ka formuar Shtabin e Krizës në kuadër të Ministrisë, që do të ketë për detyrë monitorimin, koordinimin dhe sistemimin e të gjitha procedurave që kanë të bëjnë me qytetarët tanë që ndodhen në dhe rreth zonave të kërcënuara, dhe të cilët do të kenë nevojë për ndihmë ose asistencë për evakuimin e tyre të sigurt.

“Sipas informacioneve të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, si dhe telefonatave të bëra në telefonin SOS në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup, në Izrael dhe Bregun Perëndimor, numri i qytetarëve tanë të cilët raportojnë se janë gjetur në dhe rreth zonave të kërcënuara është vazhdimisht në rritje.

Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë shtetasit e regjistruar të vendit tonë, dhe po merren masat përgatitore për ndihmën e mundshme për evakuimin e sigurt të tyre.

Përveç aktiviteteve të ambasadës në Izrael, sot në mëngjes është dërguar një udhëzim urgjent për rrjetin diplomatik të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendet përreth, për përgatitjen e tyre të veçantë për aktivitetet e mundshme dhe gatishmërinë e tyre 24 orëshe si për qendrën në Shkup ashtu edhe për komunikimin e mundshëm me qytetarët. Rrjeti diplomatik është në kontakt edhe me kolegë nga misionet diplomatike të vendeve mike, të cilët po përgatiten gjithashtu për ndihmë të organizuar për qytetarët e bllokuar në dhe rreth zonave të kërcënuara”, informojnë nga MPJ.