Mosanëtarësimi i Kosovës në SEPA, Murati: A mundet me pyet dikush Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA, ndërsa Kosova nuk është pjesë e saj.
E lidhur me këtë ka reaguar sot ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se kjo është për shkak se ligjet që ishin parakusht për anëtarësim e që Kuvendi i pati miratuar në fund të vitit të kaluar, PDK-ja i ka bllokuar në Gjykatë Kushtetuese.
Lexoni të plotë reagimin e Muratit:
A mundet me pyet dikush Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën në SEPA?
Kosova po mbetet e fundit në integrim në SEPA, falë PDK-së e Uran Ismailit, sepse ligjet që ishin parakusht për anëtarësim e që Kuvendi i pati miratuar në fund të vitit të kaluar, PDK-ja i ka bllokuar në Gjykatë Kushtetuese.
Kjo nënkupton mbi 50 milionë euro në vit kosto shtesë të tarifave për transfere të parave për bizneset tona dhe për bashkatdhetarët tanë.
Kjo nënkupton mundësi më të kufizuara për startup-et tona për të depërtuar në tregje të huaja.
Të njëjtit sot garojnë nëpër komuna dhe duan të na tregojnë se si do t’ju ndihmojnë ndërmarrësve dhe të rinjve për zhvillim e punësim, kur në fakt sa herë që u është dhënë mundësia kanë penguar. /Telegrafi/



















































