Mos kini frikë nga vitet” – Cindy Crawford flet për guximin, bukurinë dhe lirinë e moshës

Çfarë mënyre më të bukur për ta festuar 20-vjetorin e C Magazine sesa me supermodelen që përcaktoi një epokë në historinë e modës – Cindy Crawford, në shtëpinë legjendare të Hollywood-it, Paramount Studios
Njerëzit e pyesin shpesh Cindy-n për mësimet që ia ka përcjellë vajzës së saj, Kaia Gerber, nga një karrierë që ka zgjatur mbi katër dekada. Ajo qesh kur thotë se këshilla si “shko gjithmonë në kohë” apo “lëre telefonin anash” janë ato që më së shpeshti e bëjnë vajzën të rrotullojë sytë. Por Cindy beson se shembulli personal është më i fuqishëm se çdo fjalë.
Kështu ka bërë gjithmonë –edhe kur së fundmi pranoi të këndonte “Take Me Out to the Ballgame” në mes të një ndeshjeje të Chicago Cubs përkrah mikut të saj, Eddie Vedder nga Pearl Jam, përpara 40 mijë tifozëve. “Unë nuk këndoj fare”, tregon ajo me të qeshur. “Por vajza më tha: ‘Mam, është kaq cool që e bëre.’ Ajo e di që nuk jam rehat me gjëra të tilla, por e kupton që edhe sot marr guxim të dal nga zona ime e rehatisë. Dhe kjo ka vlerë.”
Në fakt, Cindy Crawford ka qenë gjithmonë më pak “e paarritshme” se koleget e saj. Në kulmin e famës, ajo bëri hapa që shumë supermodele të tjera s’do t’i merrnin, një reklamë për Pepsi, një pozim për Playboy, një program televiziv në MTV. “Playboy ishte një hap larg nga rruga klasike e modelimit,” kujton ajo. “Agjenti im nuk donte ta bëja, as babai im. Por unë e dija se ishte me Herb Ritts dhe ishte një mënyrë për të arritur një audiencë tjetër. Kështu arrita në MTV” - transmeton Telegrafi.

Nga ajo kohë, karriera e saj mori drejtim shumëplanësh: për më shumë se 20 vjet ajo është bashkëthemeluese dhe fytyra e markës së kujdesit për lëkurën Meaningful Beauty me kirurgun Jean-Louis Sebagh, marka e saj Cindy Crawford Home gjeneron mbi 350 milionë dollarë në vit, ndërsa bashkëpunimi me Omega ka zgjatur plot tri dekada. Ajo vazhdon të pozojë për revista si Harper’s Bazaar France dhe të bashkëpunojë me vajzën e saj për Zara.
Megjithatë, pandemia i ndryshoi perspektivën. “Nuk po ndjek më asgjë,” thotë ajo. “Mësova të ngadalësoj. Dikur mendoja se nëse e ndal hapin, humb gjithçka. Por kuptova se jo. Mjafton ta mbash derën pak hapur, volumin mund ta ngresh ose ta ulësh, por nëse e mbyll krejt, e ke të vështirë ta hapësh sërish.”

Crawford dhe familja e saj jetojnë prej më shumë se 20 vjetësh në Malibu. Zjarri i vitit 2018 e mësoi të ishte gjithmonë gati – të kishte një listë të gjërave më të vlefshme, të ruante kujtimet familjare në formë digjitale, të dinte saktësisht çfarë të merrte e çfarë të linte pas. “Kur u kthyem për herë të parë pas zjarrit, duke vozitur natën, ishte si një film i Tim Burton – vetëm skelete shtëpish. Ishte tronditëse,” kujton ajo. “E dua Los Angelesin, dhe zgjodha vetë të jetoj në Malibu. Nuk e marr kurrë të mirëqenë.”
Tani, me fëmijët që jetojnë më vete, shtëpia e madhe e çiftit Crawford-Gerber është bërë më e qetë. “Më mungojnë më shumë kur jam aty,” thotë ajo. “Çdo dhomë më kujton fëmijërinë e tyre.” Kështu, ajo e ndan kohën mes Malibu-t, liqenit Muskoka në Kanada dhe apartamentit të ri në Miami, ku ajo dhe bashkëshorti i saj Rande rikthehen në kujtimet e rinisë.

Sot, bota e modës është shumë ndryshe nga ajo që Cindy njohu në moshën 17-vjeçare. “Diversiteti është gjëja më e mirë që i ka ndodhur industrisë,” thotë ajo. “Dikur ideali i bukurisë ishte shumë i ngushtë. Edhe ne mendonim se po e zgjeronim thjesht pse kishim flokë kafe. Tani shohim çdo formë, ngjyrë dhe moshë dhe kjo është frymëzuese.”
Por Cindy ka ndjenja të përziera për revolucionin tjetër – rrjetet sociale. “Është mirë që modelet kanë mundësi të tregojnë kush janë, por është edhe një kafshë e pangopur. Nuk ngopet kurrë.” Ajo thotë se asgjë nuk e zëvendëson bukurinë e një fotografie të Steven Meisel apo Helmut Newton të shtypur në letër, “ato janë për t’u shijuar, jo për t’u rrëshqitur me gisht.”
Në vitin 2023, dokumentari The Supermodels në Apple TV+ ribashkoi Crawford, Evangelista, Turlington dhe Naomi Campbell. “Ishim si një familje disfunksionale, por me një histori të përbashkët që s’mund ta mohojmë. Me kalimin e viteve e kupton sa e jashtëzakonshme ka qenë ajo periudhë.”

Tani, ndërsa afrohet në një dekadë të re të jetës, Crawford e sheh bukurinë përmes një lente tjetër. “Shëndeti është themeli i bukurisë. Ushtroj jo për t’u dukur, por për të qenë aktive, të ngjitem në male, të luaj pickleball, të mos e zvogëloj jetën me moshën.” Ajo pranon se ka provuar “vampire facial” dhe trajtime të tjera, por asnjë s’ka qenë “magjike”. Sekreti? “Gjumi, ushqimi i mirë dhe shmangia e diellit.”
Për Cindy-n, balanca mes pranimit të viteve dhe dëshirës për t’u kujdesur për veten ka ndryshuar. “Tani them: kjo jam unë. Nuk kërkoj që fotot të më ‘rinovojnë’. Edhe pse kam tundimin të ‘zhdukem në perëndim të diellit’ dhe të më kujtojnë si në moshën 25-vjeçare, e di se do të ishte e padrejtë. Gratë pas një moshe kanë të drejtë të shihen, të jenë të pranishme. Dhe kjo është përgjegjësia ime – të vazhdoj të shfaqem.”
Në fund, ajo përmbledh filozofinë e vet me thjeshtësi: “Liria është të bësh atë që dëshiron dhe të ndihesh mirë me veten. Kjo është bukuria e vërtetë.”

/Telegrafi/

























































