Që nga viti 2014, kur milicitë pro ruse morën kryesisht kontrollin e territoreve ukrainase me popullsi në shumicë rusë, ose pothuaj në raporte të barabarta, “lufta hibride” e drejtuar nga Kremlini në vendet e NATO-s dhe BE është intensifikuar ndjeshëm - duke nisur që nga propaganda me tezat për “perëndimin e degjeneruar”, “bjerrjen e demokracisë në Evropë dhe ShBA”, “dështimin e ekonomisë së tregut” e disa teza të tjera që kanë synuar mbjellje të pakënaqësisë dhe zhgënjimi në opinion publik perëndimor. Këto metoda propagandistike të shoqëruara me sulme kibernetike, kërcënime verbale nukleare, ndërhyrje në ekonomi përmes skemave të mashtrimit, ndërhyrje në proceset zgjedhore etj., kanë përbërë në tërësi atë që quhet në zhargonin e ekspertëve dhe institucioneve të sigurisë ndërkombëtare si “luftë hibride” e Rusisë me qëllim krijimin e konfuzionit, ambiguitetit dhe nihilizmit në vëndet perëndimore, kryesisht në Evropë.

Si luftë jo konvencionale që zhvillohet në “zonën gri”, kjo mënyrë e të sfiduarit ka pasur sukses relativ, ashtu siç vendet e sulmuara kanë parandaluar me efikasitet ndërhyrje të këtij lloji. Por, sa më i dobët të jetë një shtet i sulmuar dhe më të dobëta institucionet e veta, shanset për sukses të luftës hibride rriten.


Dhe, natyrisht që brezi më i dobët i shteteve evropiane është pikërisht Ballkani, ku sundimi i ligjit është deficitar dhe influenca ruse për shkak të ndikimit të fortë që pati ish-Bashkimi Sovjetik, ka gjetur terren më të përshtatshëm për njëfarë suksesi. Aq më tepër që në këtë pjesë të Evropës, Rusia ka dhe një aleat historik si Serbia, që pavarësisht nga dyzimi mes BE-së e NATO-s nga njëra anë dhe nacionalizmit historik në anën tjetër, në fund të fundit gjithmonë zgjedh këtë të dytin. Nuk është rastësi që si marrëdhëniet me Kosovën, ashtu dhe mbajtja në gjendje krize të përhershme e Bosnje Hercegovinës, kanë përbërë një kërcënim të vijueshëm për stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.

Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe me një miratim të gjerë të opinionit publik si për NATO-n dhe për BE-në, përgjithësisht ka dhënë mesazhe dhe mbajtur qëndrime të qarta properëndimore. Anëtarësimi në NATO dhe vijimi i pandërprerë i përpjekjeve për anëtarësim në BE, kanë përbërë një devizë të të gjitha qeverive të djathta e të majta, pavarësisht nga ngadalësime të rëndësishme në rrugën e integrimit evropian, si për faj të politikës shqiptare ashtu për komplikacionet e brendshme të BE-së. Përkundër anëtarësimit në NATO që u përshpejtua nga vullneti i qartë dhe i prerë amerikan, për shkak edhe të ndikimit që vjen prej fuqisë së lidershipit, ai i integrimit evropian ka ngecur jo pak herë edhe për shkak të konfuzionit që emeton Serbia në mjedisin ballkanik, herë si shtet evropianist e herë si “proxy” i Rusisë e akoma më keq i Kinës. Stërvitjet e fundit të përbashkëta ushtarake me Kinën vetëm sa shtojnë dyshimet për integritetin evropianist të Serbisë.

E, ndërkohë që në pamje të parë Serbia shton dyshimet, Shqipëria e Kosova në perceptimin e përgjithshëm luajnë një rol amortizues të nacionalizmave në pikëpamjen e perëndimit, që përbën edhe interesin kryesor - duke u rreshtuar qartazi me NATO-n e BE-në në angazhime politike, diplomatike e ushtarake përmes akteve publike. Por, ndërkohë që kjo është panorama e dukshme, vitet e fundit bien në sy disa dritëhije që kanë ngjallur dyshime legjitime. Dhe, arsyeja kryesore nuk është vetëm modeli drejtues oligarkik politiko-ekonomiko-kriminal që e gjen shëmbëlltyrën e vetë në Rusi, por edhe disa qëndrime dhe një retorikë dialektike në raport me ShBA-në dhe BE-në e disa udhëheqësve ballkanas.

Si fillim, është bërë shqetësuese situata e krijuar në marrëdhëniet e qeverisë Kurti me aleatët natyrorë perëndimorë. Prej vitesh qeveria e drejtuar nga Vetëvendosja ka marrë një drejtim sovranist që nuk i shkon për shtat këshillave dhe politikës së ShBA-së dhe BE-së në raport me Serbinë, duke e rreshtuar Kosovën jo si faktor stabilizues, por si antagoniste e nacionalizmit serb, duke e kthyer tensionin nacionalist nga sjellje e njëanshme në një sintoni të padakordësuar. Natyrisht që te një masë e madhe, por jo te shumica absolute në perceptimin popullor, nacionalzmi “shet” suksesshëm, por nga ana tjetër furnizon me karburant ambiciet e kundërshtarëve për destabilizim - që është gjëja e fundit që dëshirojnë si ShBA-ja ashtu edhe BE-ja. Dhe, tashmë efekti i marrëdhënieve të kompromentuara mes qeverisë së Kosovës dhe partnerëve u bë i dukshëm me ndërprerjen e Dialogut Strategjik ShBA-Kosovë.

Por, ajo që përkeqëson më keq situatën është marrëdhënia e komplikuar mes qeverisë shqiptare dhe ShBA-së - një marrëdhënie ende e pashpërfaqur hapur si në krizë, por që mes rreshtave të komunikimit të ndërsjellë nuk lë shumë vend për paqartësi. Deklaratat e fundit të kryeministrit Rama se “nuk ka rrezik rus në Evropë”, apo më tej “se ShBA-ja i zgjidhin problemet me bomba e më pas predikojnë”, e akoma më keq kur u shpreh se “problem i Rusisë është një çështje evropiane” ndërkohë që ShBA-ja po punon për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës e Rusisë, janë deklarata që kërcasin keq për veshët e sytë e vëmendshëm e jo vetëm. E, kur kujtojmë se dy muaj më parë Rama guxoi edhe të tallej para kamerave me një lapsus të Presidentit Trump, me shumë gjasa jemi përballë një vije sjelljeje se sa disa deklaratave rastësore.

E, në fakt, kjo situatë është krijuar ndërkohë që SPAK dhe GjKKO, dy instrumente ligjore të krijuara nga Perëndimi, e sidomos ShBA, për të luftuar nivelin e frikshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë rritur stekën e hetimeve bash në paradhomën e Edi Ramës - i cili e ka braktisur retorikën e “dardhave pas shpine” që deri para pak muajsh “hanin” vartësit e tij, duke u hedhur nëpër sheshe e dyert e Gjykatës Kushtetuese në një kundërsulm të papritur. Mesa duket, “maskat kanë rënë” dhe ka ardhur koha për përballje. Me kë? Në pamje të parë me SPAK-un dhe GjKKO-n, por në thelb me ata që i krijuan: ShBA-në dhe BE-në! Ndaj, frustracioni që i vjen prej presionit se drejtësia mund të godasë dhe atë vetë, ka filluar ta shfaqë në konsideratat që lëshon pa përgjegjësi poshtë e lartë nëpër media e forume ndërkombëtare për “krizat e Evropës” dhe “brutalitetin e ShBA-së”.

Por, sikur të mbeteshim vetëm në nivel retorike, do të ishte gjysma e së keqes. Por, retorika e papërgjegjshme e kryeministrit kryesisht ndaj ShBA-së dhe presidentit Trump, po shndërrohet në konstante e për rrjedhojë duket se kemi të bëjmë elementë të dyshuar të luftës hibride. E, ndërkohë kur ekspozohen lajme si ai i çështjes së Aeroportit të Vlorës, ku dyshohet për përfshirje të institucioneve private financiare të lidhura me Rusinë, apo evazion fiskal gjigand të një kompanie në pronësi kineze si Bankers, dyshimet fillojnë e shtohen. E, nëse pastaj cenohet siguria kombëtare përmes praktikave antiligjore të pronave të ushtrisë, dyshimet shndërrohen në vijë sjellje.

Ndaj, për t’ju kthyer rolit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, duket se detyrimi i qeverisë shqiptare për t’ju kundërpërgjigjur “luftës hibride” të vendeve jo-miqësore është kthyer në të kundërt. Deklaratat e shpeshtuara ofensive të kryeministrit përkundrejt ShBA-së, de facto nxisin përhapjen e opinioneve negative për partnerin tonë strategjik. Mesa duket, shpjegimin më të mirë për këtë paradoks e japin vargjet sarkastike të Këthe Spirit: “Mora pushkën dola malit të luftoja për atdhe, ku ta dija unë i shkreti, që armiku ishim ne”!