LAJMI I FUNDIT:

Monumenti buzë shembjes

Monumenti buzë shembjes

Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, një nga monumentet më të vjetra kulturore në Qarkun e Korçës, po shkon drejt degradimit.

Monumenti i ndërtuar në vitin 1724, ka pësuar dëmtime të theksuara të çatisë në rreth 70 për qind, ndërsa rreth 30 për qind e saj është shembur thuajse krejtësisht. Jo vetëm mungesa e investimeve, por dhe kushtet atmosferike kanë thelluar dëmet.


“Situata ka agravuar më tepër nga reshjeve që sapo kaluam. Bëhet fjalë për restaurimin e gjithë çatisë. Të zëvendësohet shtresa drusore e çatisë dhe më pas të shikohet mundësi dhe për zëvendësimin e rrasave që janë të dëmtuara për shkak të kohës”, tha drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Gjergji Koki.

Projekti për restaurimin e kishës, sipas Kokit, prej disa vitesh ka mbetur vetëm në letër për shkak të mungesës së fondeve.

“Projekti është realizuar. Do ta përditësojmë edhe me situatën aktuale. Presim që të kemi një financim nga Ministria e Kulturës”, përfundoi Koki.

Kisha e Shën Thanasit ndodhet rreth 20 kilometra larg Korçës, është monument kulture i llojit “Arkitekturë” që nga viti 1971. /Shqiptarja/