Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në moshën 95-vjeçare, ka folur hapur për krizën e vazhdueshme politike dhe institucionale në vend.

Moisiu tha se edhe pas më shumë se një shekulli shtet, Shqipëria ende nuk ka arritur të ndërtojë institucione solide.


“Kemi 113 vjet shtet dhe ende nuk mund të themi që kemi bërë shtet,” deklaroi ai, duke theksuar se pengesat më të mëdha janë mentaliteti i bajraktarizmit dhe mungesa e një administrate të qëndrueshme.

Sipas Moisiut, krizat e përsëritura politike vijnë nga fakti që njerëzit e gabuar kanë marrë drejtimin e vendit.

“Populli jonë gjithmonë ka dashur demokracinë, por për fat të keq, na kanë dalë në krye ata që nuk duhet të dilnin,” u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në vend.

“Kemi 35 vjet demokraci dhe ende nuk dimë të bëjmë zgjedhje. Ata që i kërkojnë elektronike, nuk i duan. Si shpjegohet kjo punë? Një dreq e di,” tha Moisiu.

Duke kujtuar përvojën e tij si ministër i Mbrojtjes në zgjedhjet e para pluraliste, Moisiu tregoi sesi atëherë kishin funksionuar strukturat për të garantuar raportimin e rezultateve, ndonëse mungonte infrastruktura moderne. “Sot nuk merret vesh. Ndodhin këto gjëra apo sajohen?” pyeti ai.

Në lidhje me krizën e alternativave politike, Moisiu tha se zhgënjimi në popull është i thellë.

“Në vend që të përmirësojmë shtetin, ne e kemi dobësuar. Ne nuk besojmë më te administrata publike sepse sa herë ndërrohet qeveria, gjithçka fillon nga e para.”

Ai kujtoi se gjatë mandatit të tij presidencial kishte ruajtur të paprekur administratën e zyrtarëve teknikë.

“Kur jam zgjedhur president, thirra sekretarët e përgjithshëm dhe i thashë: nuk prek asnjërin.”

Në fund, Moisiu kritikoi edhe mënyrën sesi pushteti ekzekutiv ndërron strukturat shtetërore.

“Çohet kryeministri dhe bën batërdinë, i ndërron të gjithë drejtorët. Ka një arsye, se kot nuk reagon. Por ndonjëherë, këto masa janë të ekzagjeruara.”

Deklaratat e Moisiut vijnë në një moment të debatit të fortë për krizën politike dhe mungesën e besimit në institucionet shqiptare.

Në fund ai apelon për një marrëveshje ndërpartiake që të mbrojë shtetin nga abuzimi dhe fragmentimi institucional./A2CNN.