Blic analizë sociologjike: A duhet “Rugovizmi” të mbetet vetëm pronë e disa partive politike, apo e gjithë kosovarëve? (Pjesa e dytë)

Euforia, si koncept dhe si fenomen sociologjik, askund dhe asnjëherë gjerë më tani në historinë e qenësimit të organizimeve shtetërore e kombëtare, nuk është dëshmuar si argument i sprovuar empirik i natyrës së forcës, e aq më pak si forcë e argumentit që hynë në funksion të realizimit të interesave të ndryshme ekonomiko - politike, apo kërkesave për të legjitimuar projeksionin e formave të identitetit shtetëror, gjuhësor e politik të kombeve të ndryshme në Evropë gjatë periudhës së shtetndërtimeve.


Modeli i sjelljeve euforike, është dëshmuar se asnjëherë gjerë tani në historinë e qenësimit të vetë nuk ka mundur të zëvendësojë as formën e as përmbajtjen e sistemit të organizimit shtetërorë që siç dihet ka munguar një periudhë të gjatë tek shqiptarët në përgjithësi në të dy anët e kufirit.

Në esencë, euforia shqiptare e viteve ('90 -ta) e manifestuar herë si histeri e herë si delirium kolektiv i llojit të vetë, më së miri e shpreh pozicionimin e pamundësisë së automatizimit të veprimeve dhe ndërmarrjeve të ndryshme të shqiptarëve, pastaj varfërinë në seleksionimin e vlerave perëndimore dhe në fund edhe maksimalizimin e forcës së njëmendët që e dispononin ata në këtë kohë. Në fakt, ata në memorien e popujve tjerë Ballkanik e Evropianë, njiheshin më tepër me etikën dhe diskursin e stoicizmit të tyre specifik, se sa me cilindo tipar tjetër identifikues.

Pozicionimi euforist i viteve '90 - ta, për dallim nga periudhat e mëparshme historike, del deri diku edhe si befasues dhe jashtë kontekstit të sjelljeve standarde kolektive që i bënin ata në përditshmërinë e zakonshme historike, që në rrafshin etik sjell një risi jo autentike?! Dhe një hutim të përgjithshëm në përcaktim të metodologjisë së kundërvënies konform situatës (kur u mor me tanke autonomia) mjaftë të tensionuar që po mbretëronte në këtë kohë në Kosovë. Kohë kjo që dispononte me të gjitha para dispozitat e një tragjedie kombëtare me përmasa të papërballueshme!

Pozicionimi i tillë euforist i shqiptarëve, shpjegimin e vetë e mbështeste pikërisht në akumulimin e energjisë frustuese që ishte shtuar gjatë tërë dhjetëvjetëshit të mëparshëm, si edhe në faktin handikap të mosrealizimit të identitetit shtetëror të Kosovës, i cili dosido kërkonte identifikim me situatën e krijuar. Ky identifikim me platformën jo violente, për bindjen time ushtrohej nga dy aspekte apo këndvështrime sociologjike:

Dy këndvështrime sociologjike

a) Njëri, që kishte të bënte me kulmimin e sjelljeve kah një tensionim permanent i situatës, e cila shumë lehtë do të mund të eskalonte në një kryengritje të përgjithshme popullore (meqë ky tip "identifikimi" i kishte përfshirë pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë së atëhershme shqiptare në Kosovë, ku koncepti i patriotizmit ishte shndërruar në një gatishmëri fanatike të vetëflijimit për të mirën dhe çlirimin e atdheut. dhe,

b) Identifikimi tjetër euforist, i cili pretendonte ta pacifizonte situatën e krijuar eksplozive me masa paqësore, që do të rezultojë më vonë në forma dhe përmbajtje të një lëvizjeje të jo dhunës.

Kjo lëvizje, duke qenë e udhëhequr (me vetëdije!) nga shtresa e intelektualëve të Kosovës, në një mënyrë mendohej se do ta evitonte "katastrofën" dhe "tragjedinë" e prejudikuar nga mjetet e informimit dhe aktivitetet e ndryshme kundër dhunës që po mbaheshin për këtë qëllim, në këtë kohë, mirëpo, në anën tjetër ajo me po këtë vetëdije supozonte t’i zvogëlonte gjasat e reperkusioneve aneksioniste të Serbisë, ndërsa në anën tjetër t’i shtonte gjasat e shpalljes së gjendjes okupuese në mënyrë që të arsyetohej krijimi i sistemit paralel të mbijetimit që vetvetiu kishte marrë përmasat e një kundërvënie sistematike ndajë sistemit të pushtuesit serb.

Forma e dytë e identifikimit, decidivisht dhe në përmbajtje, tashmë nga vokabulari politik i sajë i përjashtoi përfundimisht sjelljet e pakontrolluara irracionale që e pamundësonin krijimin e një sistemi dhe të një kodi të ri në vetëdijen dhe etnopsikologjinë e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Kod që akomodimin dhe , durimin, pritjen pra shkurt filozofinë e jodhunës, që ende nuk kishte kurrfarë profilizimi dhe aplikimi praktik, e amalgojë me stereotipat standarde të etikës shekullore shqiptare, që ishte një vlerë praktike dhe me aplikativitet të pakontestueshëm në mbarë Kosovën.

Në kontekst të kësaj që thamë nuk do të ishte e tepërt të theksojmë, se fenomeni kompleksi i modelit euforik made in Kosova pa mëdyshje ka qenë edhe si pasojë e infektimeve dhe imitimeve të krijuara nga ish popujt Jugosllavë, ku ai tashmë ishte profilizuar me përmasa negative të sindromit për konflikte ndëretnike që do të shkaktojë gjithsejtë katër luftëra (mes: sllovenëve dhe serbëve; kroatëve dhe serbëve; boshnjakëve dhe serbëve; shqiptarëve dhe serbëve!).

B) Modeli i pozicionimit Dyshues

Meqë, sistemi i sjelljeve euforike i shqiptarëve të Kosovës, e kishte përfunduar në një mënyrë "emisionin" e vetë ende pa ndonjë strategji të përpunuar në formë të Projekti afatgjatë rreth rrumbullakimit të homogjenitetit shqiptar, ndaje kërcënimit shfarosës serbo-malazias, prapë se prapë ai kishte arritur pikën kulmore të identifikimit racionalizues, ishte e kuptueshme që shqiptarët duke e hulumtuar vetë vetën po futeshin në rrjedhat e një sjelljeje tjetër fare që ishte në kundërshtim të plotë me etikën e tyre shekullore!

Do me thënë që trajta e identifikimit të këtillë irracional, i cili kohëve të fundit filloi të ushtrohej edhe përmes fjalamanisë së zjarrtë dhe pompoze nga ana e disa "aktivistëve", përndryshe pjesëmarrës aktiv në të gjitha tubimet e kësaj kohe (sidomos ato të pajtimeve të gjaqeve!), të cilët me "grusht" në kokë "premtonin", se: "çështja e lirisë, tashmë është bërë vetëm çështje jave, apo muaj"(!), animuan pjesën më të madhe të shtresave të popullsisë së Kosovës, sidomos atë pjesë e cila nuk dispononte me informacione të plota përkitazi me "interesimet" e qendrave të fuqisë politike në botë.

Ky paralajmërim jo disfatës, për çdo ditë në formë infuzioni, tashmë edhe nga një pjesë e estabilishmentit të improvizuar politik shqiptar, filloi ti jepet masës e cila kishte ta anojë kah deliriumi i vetëkënaqësisë (!), se gjëja më në fund:"liria, na erdhi te pragu", dhe se "edhe ne po e fitojmë shtetin tonë, sikurse të gjitha kombet e Evropës"! "Shtet" ky, që herë cilësohej si : "shtet i pavarur", herë si " protektorat ndërkombëtar", e herë si "shtet neutral" (aludimi ndajë Shqipërisë dhe Serbisë)?!

Kulmimi i kësaj gjendjeje, do të thoshim me konotacione të histerisë, dalëngadalë pas mbajtjes së Konferencës së Dejtonit në SHBA, filloi të zbehet në mënyrë rapide në mënyrë që më pastaj të shndërrohet edhe në dyshim kolektiv!

Ngase, tashmë të gjithë e kishin kuptuar, se "çështja jonë" dhe " problemi ynë", nuk kishte depërtuar në agjendat e preokupimeve ndërkombëtare ashtu siç kishim shpresuar dhe ashtu siç ishim mësuar të gjithë ne! Natyrisht, "problemi" dhe "çështja" e Kosovës, jo vetëm që nuk depërtuan (në këtë kohë) në këto agjenda, por as që u bisedua për te si "problem" dhe si "çështje", e cila e prish apo e de ekuilibron stabilitetin e kësaj pjese të botës të quajtur Ballkan.

Ky lloj "zhgënjimi " kolektiv i Kosovarëve, në një mënyrë, siç do të shohim më vonë do të bëhet mjaft funksionalizues dhe mjaft mobilizues, sidomos në aspektin e fillimit të kristalizimit dhe të vetëdijesimit të gjërave rreth këtij rrugëtimi maratonik, i cili kishte prekur në lloj mënyrash pothuajse pjesën më të madhe të popullsisë së Kosovës. Thënë më ndryshe, filloi të na brejë virusi i dyshimit i cili të shumtën e rasteve eksplorohej në formë, të dyshimit cognitian njëherë e më pastaj edhe të mohimit të skolastikës të rezistencë paqësore që në vetëdijen ë Kosovare u ngulit në mënyrë meteoriti, shkaku siç thuhej në fillim nga demiurgët e sajë, të ruajtjes së substancës kombëtare dhe interesave shtetërorë që kinse i posedonte Kosova atëbotë!

Modeli i sjelljes në formë të dyshimit, në këtë kohë ende nuk manifestohej e shprehej si pasojë e ndonjë forme tjetër të ri mobilizimit e cili synimin shqiptar do ta katapultonte drejtpërdrejti në binarët e realizimit definitiv, por, si pasojë e : tendencave gjithnjë e më simptomatike të mospërmbushjes së "premtimeve" për realizimin e synimit për: "pavarësi", dhe "identitet shtetëror"!?

Fillimi i pozicionimit të këtij modeli, i cili edhe ashtu ani pse nuk imponohej si koncept dhe bindje dominonte politike, por më tepër u rezervohej margjinave të jetës politike në Kosovë, e kishte porosinë e një kërcënimi sidomos për pushtetin moral (paralel) se: ecuria e përmbushjes së synimit kolektiv shqiptar nuk ishte duke ecur itinerarit të zhvillimeve dhe përcaktimeve të theksuara në fillim të aplikimit masiv nga ana e vetë këtyre subjekteve politikë në Kosovë, të cilët tashmë ishin shumëzuar si këpurdhat!
Është interesant për t'u theksuar, se pozicionimi i kësaj kategorie në jetën publike të Kosovës, prejudikohej e besa herë herë edhe manifestohej në formë dy tipash angazhimesh:

a. Tipi i negacionit

Si negacion i përcaktimit kolektiv të shoqërisë shqiptare në Kosovë për filozofinë e jo dhunës, që ende ndjekej përveç qarqeve tashme thënë legale të identifikuara edhe si parti politike (LDK-ja, me satelitët e vetë xhuxhman më së shumti e monopolizojë këtë të drejtë!) dhe që është më interesant edhe nga grupimet tjera ilegale që vetën e rezervonin si patriot e nacionalist të përbetuar!

Kuptimi i kësisoj i këtij lloj pozicionimi, sipas pikëpamjes së këtyre grupimeve ende në fazën e përcaktimit politik, kishte për qëllim: disiplinimin dhe përgatitjen e opinionit të gjerë Kosovar që t'i rikthehet (përmes një ri mobilizimi faktorit të brendshëm, i cili ishte lënë pothuajse tërësisht mënjanë rrjedhave) kodit të vetë identifikues, ose thënë më qartë kthimit të institucionit të rebelimit! Sepse, sipas diagnostifikimit të këtyre qarqeve, koncepti i rezistencës paqësore rugoviane me përpjekjet e veta për ta quar përpara synimin e proklamuar tashmë edhe përmes institucionit të Referendumit dhe Zgjedhjeve të lira, nuk kishte arritur ta katapultonte ende idenë e çlirimit dhe të demokracisë nga zgjedha serbe.

Përveç agjitimit ilegal (formimit të grupeve ilegale), ky model dalëngadalë filloi edhe në mënyrë legale (përmes "institucioneve të sistemit paralel/moral/", përmes organizimit dhe grupimit politik, të kritikoi ashpër moralin e fatpajtimit me status quon, i cili sipas këtyre prejudikimeve dhe bindjeve, i konvenonte edhe sistemit "institucional" serb e edhe atij "paralel" shqiptar!

Në këtë mënyrë, pozicionimi i dyshimit nisi të vetë zbulohet vetvetiu nga simptomat e: apatisë, neglizhencës, mos aktivitetit, ripërsëritjes së gjërave dhe veprimeve të cilat nuk qonin askund. Thënë më drejtë, koncepti i rezistencës paqësore filloi të keqkuptohet, si diçka që i mjaftonte vetëkënaqësia e fat pajtimit dhe pritjes! Në këtë drejtim nuk ishin të rastit, tashmë edhe akuzat që i bëheshin pareshtur këtij diskursi dhe strategjie nga grupimet dhe qarqet e ndryshme intelektuale, duke e quajtur atë si " filozofi të ndejës" (R. Qosja), "strategji e vetëmashtrimit" (B. Kosumi), "skolastikë e rezignimit" (F. Maloku), etj. që nuk po jepte askund rezultatet e pritura nga populli!

Në këtë drejtim, filluan të organizohen tribuna dhe tryeza të natyrës së matjes së pulsit për mënyrën e mëtejme të imponimit,ndaj sistemit diskriminues serb dhe faktorit ndërkombëtar. Pra rifilloi rishqyrtimi në formë dyshimi i të gjitha të "arriturave" të gjertanishme të strategjisë dhe skolastikës së rezistencës paqësore.

b. Tipi i vetënjohjes

Tipi tjetër i angazhimit të pozicionimit dyshues, perceptohej në formë dhe përmbajtje të begatisë së vetënjohjes, së mundësive, potencialit dhe mënyrës së imponimit të strategjisë së jo dhunës në kushtet dhe rrethanat ekzistuese të ish Jugosllavisë. Kur të gjitha analizat flisnin për pamundësinë e evitimit të një lufte katastrofale në Kosovë, ngaqë këtu kishte filluar edhe zhbërja e kësaj krijese artificiale e cila për pothuajse të gjithë popujt e ndarë më vonë (përmes luftës, e jo përmes jo dhunës!) do të trajtohet si burg kolektiv i tyre.

Në fakt, koncepti i dytë i angazhimit që kishte për obligim dhe detyrë imediate, pasurimin përkatësisht si thamë begatimin e kësaj forme të rezistimit, nuk po drejtohet në këtë qëllim! Shtrohet pyetja e thjesht, përse? Arsyet, mund të thuhet se ishin të shumta, mirëpo, një ndër kryesoret padyshim ishte edhe ajo se; formula e jo dhunës, në diskursin dominues politik që përfaqësohej e udhëhiqej na vetë LDK-ja, veprimtarinë e vetë e orientonte dhe reduktonte kryesisht në ngjarje tërësisht (do të thoshim pa rezervë) periferike, dmth. të dorës së dytë apo edhe të asaj të tretë.

Veprimtaria e këtij diskursi dominues, në këtë kohë në Kosovë, kryesisht reduktohej në mbledhjen e fakteve (që natyrisht ishin të rëndësishme në kuptimin e evidentimit të rasteve të shkeljes së të drejtave individuale të njeriu!) diskriminuese, mbajtjen e konsultimeve të rregullta me anëtarësinë (punë kjo që u shfrytëzua maksimalisht, sa që një ditë u bënë edhe monotone!), dërgimin e herë pas hershëm të ankesave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, pastaj në vizitat e kohëpaskohshme të liderëve të sajë nëpër metropolet e ndryshme botërore për qëllime të konsumit të brendshëm, etj.
Thënë më qartë, vizioni i jo violencës ashtu siç e kishin konsumuar bie fjala filozofia dhe strategjia e Gandizmit, Luterizmit, etj. nuk ishte askund në horizont! Kjo gjendje letargjike dhe e apatisë kolektive për popullin e Kosovës do të zgjatë pothuajse një dekadë të tërë.

Dobësia e ambientimit të formës dhe angazhimit të parë të modelit dyshues, që ani pse, decidivisht konsistonte në disiplinim dhe begatim të përmbajtjes së strategjisë jo violente, me anën e aktiviteteve të ndryshme demonstruese, të cilat sipas tyre nuk do ta lënin të qetë pushtuesin, por gjithnjë do ta angazhonin në kundërvënien e këtyre formave të reja rezistuese që atij do të ia merrnin përherë gjymin, qëndron në pamundësinë e gjetjes së hapësirës, metodologjisë dhe mënyrës së animimit të opinionit shqiptar (sidomos atyre shtresave që përfitonin moralisht dhe materialisht nga një katandisje e këtillë fat pajtuese!) në Kosovë.

Ose thënë me metaforë, në këtë vakum të dyshimit, do thoshim pozitiv, por me një të metë të rëndësishme: atë të pamundësisë së imponimit decidiv në skenën e pluralizmit improvizues shqiptar në Kosovë, të shndërruar tashmë edhe në gati pasion kolektiv në Kosovë, pozicioni i Demaçizmit (si sinonim i një sakrifice dhe institucioni moral shqiptar), dalëngadalë fillojë të zëvendësohet me atë të Vllasizmit (si sinonim i një politike të gabuar në terrenin kombëtar), në vend që të ndodhë e kundërta! Forma e dytë e prejudikuar e dyshimit, shprehur me gjuhën dhe terminologjinë sociologjike, vuante gjithashtu nga "virusi" i pamundësisë së imponimit të atyre dëshirave, planeve dhe projekteve e sistemeve të cilat do ta avanconin kuptimin dhe statusin politik të shqiptarëve të Kosovës, jo në aulat e elektoratit të vetë, por nëpër aulat e faktorëve të jashtëm ndërkombëtar që vendosnin fatet e kombeve dhe shteteve.

Diskursi i këtillë, që ishte ende dominues në shoqërinë shqiptare të Kosovës, politikën e realizimit të synimit kolektiv shqiptar e kishte drejtuar tërësisht në drejtim të faktorit të jashtë, ashtu që faktori i brendshëm ishte lënë në një mënyrë tërësisht mënjanë!
Duhet theksuar, se ndër shkaqet e pozicionimit të modelit dyshues në diskursin politik të shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së jo violencës do numëruar dy sosh:

Shkaku i parë

1) I pari, që do të thoshim pak a shumë do të mund të ndërlidhej atëbotë me etikën e traditës dhe stereotipit shqiptar, sipas të cilit semantika e koncepteve të : durimit, mosnënshtrimit dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar e njerëzor, ishin pothuajse tërësisht koncepte të panjohura për të që dëshmon se në historinë e qenësimit tonë, asnjëherë në asnjë etapë të emancipimit të tyre, nuk ka ndodhur që të ushtrohet e kultivohet farë identifikimi me ndonjë doktrinë të huaj filozofike apo religjioze të huaj.

Për këtë shkak, procesi i identifikimit dhe kontaktit të parë i Kosovarëve, me etikën e doktrinën e jo dhunës, jo ashtu siç e kultivua në fillim të aplikimit të sajë, (në formë dhe përmbajtje të fat pajtimit!), por ashtu siç u dizajnua dhe demonstrua më vonë nga studentët e UPSP-ës dhe shtresat tjera të popullsisë së Kosovës në fund të mileniumit të dytë, na e merr mendja, nuk e kishte edhe aq kuptimin e mundësisë së realizimit të synimit final për identitet shtetëror të Kosovës, sa kuptimin e konservimit të substancës demografike dhe para përgatitjen e saj për aktin final.

Edhe nga shkaku i thjesht se, historia shqiptare, ashtu siç e dimë të gjithë, ishte një histori e dhembshme e mbijetimit të dyndjeve të shumta që kishin ndodhur pareshtur mbi ta.

Shkaku i dytë

2) Derisa, natyra e shkakut të dytë, do të thoshim edhe shkakut kryesor të futjes së virusit të dyshimit, në vetëdijen e re shqiptare në Kosovë në këto vite, pra pas aneksimit të edhe asaj pak autonomie që e gëzonin ata, në procesin e realizimit të synimit për identitet të avancuar shtetëror, ndërlidhet dhe shpjegohet me përmbajtjen e jo rastësishme dhe të pa pabazuar të mbështetjes së lëvizjes sonë pacifiste në faktorin e jashtëm ndërkombëtar, apo qendrat e fuqisë së vendosjes dhe afirmimit të identiteteve të reja demokratike në këtë pjesë të botës.

Mbështetje, kjo e cila në fillim të viteve '90-ta, e kishte deri diku arsyetimin e tolerueshëm, ngaqë pas zhbërjes së ish krijesës Jugosllave, kur pra kanosej rreziku permanent i ndoshta shfarosjes së qenies kombëtare jo vetëm shqiptare por edhe e popujve tjerë të Evropës Lindore, ndihej nevoja e një mbrojtjeje të përgjithshme. Kapital ky, tek i cili e kishin mbjellë farën e realizimit të pavarësisë, kroatët, sllovenët, lituanët, letonët, maqedonasit, shqiptarët etj,.

Andaj, do të ishte absurde amorale dhe e pajustifikueshme që shqiptarët të privoheshin nga kjo ndihmë e cila farkonte fate të tëra kombesh. Mirëpo, ndajë shqiptarëve ky faktor, në një mënyrë u tregua cinik, sidomos me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, ku çështja e Kosovës qe lënë, pa arsye mënjanesh! Shqiptarët, nga ky leksion do të nxjerrin një përvojë dhe mësim të mirë, se filozofia pragmatike e perëndimit nuk udhëhiqej edhe gjithaq nga kodet dhe normat e kritereve të së drejtës : etnike, historike, morale dhe asaj "universale" që për çdo ditë plasoheshin nga mediumet e tyre, por para së gjithash kodet dhe normat e interesit!

C) Modeli i pozicionimit Iluzionist

Në politikën bashkëkohore, është një rregull e pathënë që konsiston në faktin e pamohueshëm, se lëvizja apo formacioni politik i cili nuk arrin të realizojë synimin e proklamuar (në rastin tonë: "synimin e identitetit shtetëror të Kosovës") në start të promovimit të vetë publik (ashtu siç bëri lëvizja e jonë politike, më saktësisht: blloku i moderuar i LDK-së), atëherë në mënyrë automatike krijon "virusin" e iluzionit.
Në rrethanat tona Kosovare, diskursin e pozicionimit iluzionist në vetëdijen politike, duhet nënkuptuar si përmbajtje tjetërsuese që kahen dhe aspiratën kolektive të shoqërisë shqiptare përpëlitet ta perceptojë si rrugëtim të gabuar, pa shtegdalje dhe jo shpresëdhënëse.

Meqenëse, siç konstatuam në pozicionimet e më larta koncepti dhe bindja e diskursit politik të “viteve të humbura” (M. Kraja) të Kosovës, me vetëdije hamendej rreth mundësive të motos së realizimit të identitetit shtetëror për Kosovën, pra fillojë në një mënyrë të kuptojë se me këtë metodologji, kundër një pushtuesi, që kishte kulturë dhe mentalitet arkaik, është e pamundur të arrihen aspiratat e rëndësishme të popullit të Kosovës.

Në realitet, prirja për të krijuar sistemin e rezonimit iluzionist, që shpeshherë identifikohej me atë të vetëmashtrimit (natyrisht, nëse kihen parasysh rrethanat evidente të një realitetit të krijuar përmes ligjit të dhunës!) , apo dorëzimit të fatit (!), që për natyrën e shoqërisë shqiptare Kosovare, do të thoshte : të pranohej prore robëria si model dhe sjellje e mbijetimit fizik?

Në fakt, ky model i sjelljes fatëpajtuese, një kohë të gjatë pat filluar të përcjellë "zhvillimin" e shoqërisë Kosovare, sepse procesi i akomodimit në sistemin represiv serb , për një shtresë që "komunikonte" me këtë sistem pa paragjykime paraprake të zënies së frymarrjes kolektive shqiptare, ishte edhe shumë profitabil nga aspekti ekonomik.
Që lirisht mund të shquhet si një lloj akulturimi ekonomik me sistemin e vlerave të pushtuesit.

Pozicionimi iluzionist i vetëdijes shqiptare si akt i largimit nga përditshmëria e stërpërsëritur dhe e vrazhdë robëruese, konsistonte në krijimin e parakushteve dhe vështirësive evidente për shtresën e cila ishte në pritje dhe si thotë populli: "me vesh në krah", për ngjarjet të cilat supozonin ata se u ofron realizimin e shtetësisë së Kosovës.
Andaj, ani pse ky pozicionim në fillim, e kishte funksionin e mobilizimit dhe homogjenitetit të masave të gjëra popullore dhe mbajtjen e sajë në deliriumin e një vetëkënaqësie tejet provizore për kohën kur ushtrohej, në stilin se: "Liria është shumë afër" (!), " ne jemi sferë e ndikimit perëndimor", etj. Pra, ishte një mekanizëm mjaft i efektshëm në kultivimin e vetëdijes homogjene për vetë vetën e shkapërderdhur që tash pas gati një dekade pritjeje e stoicizmi të paparë, nuk i kishte më tiparet e një funksioni të njëjtë.

Nga vetë shkaku, se ky model i pozicionimit të vetëdijes politike Kosovare, nuk provokonte më zgjimin dhe masivizimin e ndërgjegjes së Kosovarit të rëndomtë, por përkundrazi, e atrofizonte atë, sidomos duke e akomoduar me rrethanat e reja ambientuese (lexo: robëruese!) që dalëngadalë po shtoheshin sipas një progresioni gjeometrik.

Do thënë po ashtu, se ky lloj pozicionimi iluzionist, kuptimin e pasojave të mundshme për tërësinë e aspiratës së shqiptarëve në Kosovë, jo rastësisht e nënkuptonte si një mundësi shumë reale për topitjen e ndjenjës kolektive për të zbërthyer gjerë në fund preokupimet e synimit për shtetësi. Derisa, shkaqet e shfaqjes së një tendence të tillë, ishin një rrjedhojë tipike e po atyre shkaqeve që i përmendëm në modelet e mëparshme.

D) Modeli i pozicionimit Frustues

Kriza e identitetit të lëvizjes shqiptare, prapa së cilës si simptome identifikuese cilësoheshin pozicionimet e vetëdijes: euforiste, të dyshimit, atij iluzionist dhe atij frustues, do të mund thoshim qëndron pikërisht në paqartësinë e të kuptuarit dhe domethënies së tërë asaj metodologjie e strategjie që ne jetën e përditshme e shquhej si "politikë paqësore", "rezistencë paqësore", "metodë joviolente", "metodë e mospranimit", "metodë e refuzimit", etj. Krizë kjo, që do manifestohet në formë dhe përmbajtje triade: atë kombëtar, politik, dhe atë të begatimit të sfondit të rezistimit paqësor.

Keqkuptimi apo më mirë me thënë keqinterpretimi i kësaj strategjie kolektive "vepruese", ishte i vetëkuptueshëm edhe me vetë faktin se natyra e krijimit (në esencë e improvizimit!) të një sistemi të këtillë paralel, mundohej të barte me vete intencën e rindërtimit të raporteve të reja ndërnjerëzore në Kosovë, të cilat tashmë kishin filluar të stërkeqeshin.

Modeli apo stadi i ri i krijuar i sjelljeve kolektive shqiptare i infektuar tashmë pothuajse tërësisht me virusin e pamundësisë së realizimit të synimit të proklamuar (ku kishin kaluar gati 7/8 vite të kotësisë ) për identitet shtetëror të Kosovës, prezencën e vetë mbijetuese mundohej ta prejudikonte në dy drejtime:

a) Në drejtimin i cili kishte të bënte me para dispozitat, përkatësisht klimën dhe ndjenjën e krijuar të apatisë, indiferencës, fatëpajtimit dhe pamundësisë së reagimit në formë dhe përmbajtje të dëshiruar.

b) Dhe drejtimi tjetër, që ka të bëjë me shtresimin gradual të bindjeve politike, pastaj obligimeve dhe detyrave, të cilat në një mënyrë definitivisht do të mundnin të dezorientonin mundësit e realizimit të synimit për identitet shtetëror të shqiptarëve të Kosovës.

Është interesant, se me kalimin e kohës ky model gjithnjë e më shumë fillon të inkorporohet në sistemin e të menduarit të përditshëm në Kosovë. Ashtu që ndrydhja e bindjeve dhe synimit të qytetarit të rëndomtë të Kosovës, fillon të marr kuptimin e një lloj fatëpajtimi, ngase realizimi i asaj që ishte proklamuar unanimisht ende nuk shihej ende në horizontin as politik, as juridik, e as ekonomik.

Do thënë se gjendja e tillë frustuese, e shquar edhe si gjendje psikopatike përmbajtjen e vetë të mosplotësimit dhe mosrealizimit kolektiv të shqiptarëve të Kosovës, e fuqizoi kryesisht përmes ekskluziviteteve të konsumuara politike që për momentet dhe rrethanat e krijuara atëbotë pa vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, ishin të tejdukshme dhe pa ndonjë rëndësi të justifikueshme më!

Modeli i pozicionimit frustues, në rastin e Kosovës, ishte i shoqëruar me sjellje të thyerjeve shpirtërore dhe sosh depresive, sidomos në individët dhe grupimet që nuk e posedonin "durimin" e apostrofuar të diskursit dominues politik. Në këtë kontekst, nuk janë të rastësishme fluktimet e hetueshme të këtyre forcave jashtë Kosovës, që si do të hetohet me vonë do të bëhen qendër e diskursit të ri rebelues në Kosovë.

Në fakt, si përfundim del se amputimi i kësaj filozofie në etnopsikologjinë dhe mentalitetin e kosovarëve ishte i përkohshëm, jo natyrshëm, por gjithsesi i nevojshëm për të blerë kohen e duhur për përgatitjet për luftën që do të vij në fundshekullin e kaluar.

FUND

(Autori është anëtarë i Shoqatës së Sociologëve Botërorë /www.sociologistswithoutborders.com/, komentet dhe sugjerimet dhe vërejtjet tuaja mund t’i dërgoni ne e-mail adresën: fadil.maloku1@gmail.com)