LAJMI I FUNDIT:

Mjerimi i MPJ-së në Kosovë

Në shtypin ditor të Kosovës lexova me vëmendje shkrimet rreth arrestit dhe lirimit të Bajram Asllanit nga Mitrovica lidhur me dyshimin për “veprimtari terroriste”, me urdhër arresti të Gjykatës së Qarkut të Karolinës Veriore të SH.B.A.-ve. Në këtë qasje nuk do të ndalem në aspektin e drejtësisë apo gjyqësorit lidhur me rastin në fjalë, por do të ndalem në aspektin diplomatik, gjegjësisht të aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ-së) të Kosovës lidhur me rastin në fjalë. A thua është e vetëdijshme MPJ-ja e Kosovës për gafin e bërë që paraqet një skandal diplomatik, dhe si një veprim i tillë në prag të vendimit të GJND-së lidhur me padinë e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, çon ujin në mullirin e Serbisë.

Po citoj:
“SHBA-ja sipas një dokumenti të nënshkruar nga MPJ-së së Kosovës, kanë marrëveshje për ekstradim me Kosovën, mirëpo kjo marrëveshje e pranuar nga MPJ-ja është nënshkruar para më shumë se një shekulli. Udhëheqësi i Departamentit për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Ehat Miftari, ka deklaruar se ekziston marrëveshja e cila është nënshkruar në vitin 1901, e cila marrëveshje është nënshkruar ndërmjet SHBA-ve dhe Serbisë. Deklarata e pavarësisë i ka marrë përsipër të gjitha që t’i përmbush të gjitha marrëveshjet dhe obligimet që kanë qenë nga Serbia. Edhe ne ua kemi përcjellë këtë shqetësim MPJ-së, mirëpo kjo marrëveshje është konfirmuar se është e aplikueshme dhe këtë e kanë konfirmuar MPJ-ja dhe Departamenti i Shtetit, përfundon Ehat Miftari”.


Të gjithë nga historia e kemi të njohur faktin se Kosova, e cila gjerë atëherë ishte në kuadër të Perandorisë Osmane si vilajet i veçantë, është okupuar nga Serbia në tetor të vitit 1912, e tani na del se sipas MPJ-së së Kosovës se Kosova qenka në përbërje të Serbisë që nga viti 1901, çudi se jo mahi, i thonë kësaj, se çfarë MPJ të Kosovës kemi, apo më mirë të themi se çfarë zyrtarë (pa) përgjegjës kemi në MPJ të Kosovës.

Duke pranuar një marrëveshje të tillë për ekstradim të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Serbia në vitin 1901, e duke ditur se në vitin 1901 Kosova akoma ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane si vilajet në vete, veç se e përforcon pozicionin e Serbisë në prag të vendimit të GJND-së për Kosovën, pasi që sipas Serbisë e cila thirret në drejtën ndërkombëtare, se për ndarjen apo pavarësimin e Kosovës duhet të jetë edhe pajtimi i Serbisë. E dihet se sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova ka pas sistem dual politik dhe kushtetues, njëkohësisht duke qenë edhe në përbërje të Serbisë por edhe të ish federatës jugosllave si element konstituiv i saj, dhe se pas luftërave të përgjakshme të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ajo u shpërbë, me ç’rast elementet konstituive të federatës jugosllave u pavarësuan, procedurë të njëjtë të cilën edhe Kosova e bëri, me shpalljen e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008, të cilën pozicion e prezantoi edhe në GJND-në.

E me këtë veprim të MPJ-së të Kosovës, duke pranuar marrëveshjen e nënshkruar më 1901 në mes SHBA-ve dhe Serbisë për ekstradim, vetëm se e përforcon pozicionin e Serbisë, se Kosova ka qenë pjesë e saj akoma pa e okupuar në vitin 1912, por nga viti 1901!!!!, dhe se anashkalohet fakti i fundit kushtetues se Kosova ishte edhe pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave.

MPJ e Kosovës fare nuk ka pas të drejtë të veprojë në mënyrën si ka vepruar, sipas drejtës ndërkombëtare, pasi kjo marrëveshje është bërë në vitin 1901.

Por, këtu kemi të bëjmë me pakujdesinë totale, apo me mosinteresimin e saj për qytetarët e Kosovës, pa marr parasysh se çfarëdo rasti që është, edhe po të zëmë se një qytetar i Kosovës mund edhe të ishte fajtor, brenda natës nuk mund të ekstradohet askund jashtë shtetit, por duhet përfillur procedura e ekstradimit sipas drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve në fuqi. Edhe para se të ekstradojë ndonjë qytetar të saj, paraprakisht duhet të nënshkruaj marrëveshje për ekstradim me shtetin e caktuar, në rastin konkret SHBA-së, e pastaj kjo marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit në Parlamentin e Kosovës, e pas hyrjes në fuqi të saj, vazhdon procedura e mëtejmë gjyqësore për ekstradim.

Në vend se Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të jetë e pajisur me kuadro më të aftë që ka Kosova, e që me një fjalë është “truri i Kosovës”, pasi që është një resor kyç, pothuajse kryesor e cila ka të bëjë me diplomacinë në përgjithësi, dhe se e përgatitur maksimalisht pothuajse për çfarëdo rasti që paraqitet apo përballet, e sidomos me momentet në të cilën Kosova kalon, e sidomos me përballjen me GJND-në dhe me angazhimin maksimal pothuajse 24 orë të pandërprerë për angazhimin dhe lobimin për njohjet e reja të Kosovës, si shembull konkret po e marr, nuk kam kurrgjë kundër personalisht, me plot respekt për gjininë femërore, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës zn.Vlora Çitaku, del në studio televizive e komenton ndeshjen e futbollit, me plotë të drejtë i kishte takuar sikur se ajo të ishte në pozitën e zëvendësministres së sportit, e jo në postin që e mban, që është një resor me rëndësi strategjike dhe diplomatike në përgjithësi për një shtet, e sidomos në rastin konkret të Kosovës në veçanti.