Se ka ende njerëz të mirë në botë, e dëshmon më së miri rasti i mjekut Omar Atik nga Arkanzasi.

Siç raporton Arknasas Democrat Gazet, dr Atik për festat e fundvitit u ka dërguar kartolina urimi në adresën e 200 pacientëve që vuajnë nga kanceri, të cilëve u ka shkruar se borxhet që i kanë në qendrën e tij të mjekimit u janë falur, transmeton Telegrafi.

Kështu ai ua ka falur borxhin prej rreth 650 mijë dollarëve. Kjo qendër punon tash e 20 vite, kurse në shkurt të vitit të kaluar, është dashur të mbyllet përkohësisht për shkak të mungesës së personelit.

“Klinika ka hequr dorë nga borxhet e të gjithë pacientëve. Kemi menduar se nuk ka kohë më të mirë sesa të bëhet në kohën e festave të fundvitit”, thuhet në kumtesën e kësaj klinike.

Por jo të gjithë ishin të habitur me këtë gjest.

“Nëse e njihni mjekun Atika, ky vendim për mua nuk ka qenë i çuditshëm. Ai është një prej mjekëve më të mençur që ndonjëherë kam njohur, të njëjtën kohë është edhe një nga njerëzit më zemërmirë”, ka thënë David Rotten, zëvendëspresidenti i shoqatës së mjekëve në Arkanzas.

“Të jesh i sëmurë është e vështirë, të kesh kancer është edhe më e vështirë, kurse të vuash nga kanceri në kohën e pandemisë është e tmerrshme”, ka porositur Atik. /Telegrafi/