Mjekët janë duke e hetuar sëmundjen e Kawasakit dhe lidhjen e tij me coronavirusin – sindromi duket se i ka në shënjestër fëmijët

Mjekët në të gjithë botën kanë raportuar raste të reja të një sindromi të rrallë, por potencialisht vdekjeprurës inflamator tek fëmijët që duket se është i lidhur me infeksionet e coronavirusit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rreth 100 raste të sëmundjes së pazakontë janë shfaqur në të paktën gjashtë vende, dhe mjekët në Britani të Madhe, SHBA, Francë, Itali, Spanjë dhe Zvicër raportojnë që janë duke e hetuar sëmundjen.
Rastet e para dolën në pah këtë javë kur Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani të Madhe, paralajmëroi mjekët për një numër të fëmijëve që u pranuan në njësi të kujdesit intensiv, me një gjendje toksike të papritur, dhe një sëmundje e njohur si Kawasaki, çregullim inflamator që prek enën e gjakut, zemrën dhe organet e tjera. Deri më tani 19 fëmijë janë prekur në Britani të Madhe, mirëpo, nuk ka asnjë të vdekur.
Ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran, tha të mërkurën se vendi ka pranuar disa fëmijë me inflamacion në zemër, dhe ndërsa nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar lidhjen me coronavirusin, ai tha se rastet po merreshin “shumë seriozisht”./Telegrafi/




















































