Një ditë më ra t’i shoh xhirimet e pavarësisë së Kosovës. M’u kujtua se në atë ditë nuk kisha dalur për ta festuar atë. Jo pse nuk ma kishte ëndja, jo pse nuk isha gëzuar dhe jo pse nuk doja! Rrija në dritare dhe shikoja fishekzjarret, e ndieja gëzimin po aq edhe dëshpërimin, kjo zbehje që më shumë ishte parimore sesa sentimntale më frikësonte që shkonte e ngritej në një piskamë të llahtarshme personale për t’u bërë kolektive! Nuk dola për disa parime të mia të cilat më kanë mbajtur gjatë tërë jetës. Në këto xhirime edhe njëherë përjetova kënaqësinë e gëzimit tim dhe të qytetarëve të këtj vendi shumë të bukur por të shëmtuar vetë nga ne!

Ajo që më kishte shtyer të mos delja për t’u gëzuar në qytetin tim të Lidhjes së Prizrenit ishte s’e ajo që gëzohej jashtë mureve të shtëpisë sime s’ishte krejtësisht e vërtetë ndërsa në esencë përmbane një lloj shkëputje dhe shtrembërim i së vërtetës. Pavarësia e Kosovës nuk ishte me taman, më thoshte gjyshi im derisa unë e hahesha me veten nga ëndja. Pra nuk ishte pavarësi, Kosova s’e kishte integritetin territorial, sepse Mitrovica po lundronte në terr dhe krim të organizuar dhe dirigjohej nga shteti Serb, ndërsa Kosova po mbante ende strukturat paralele të shtetit serb. Me Kosovën po luhej ende shah, si luhet edhe sot! Gjykatësit ishin të tjerët, ndërsa politikanët zbatuesit e dënimeve!


Tani përpos Mitrovicës, Kosova, përmes politikanëve të saj po rrezikonte krijimin edhe të disa Mitrovicave tjera dhe poashtu edhe dekulturimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe fetare. Këtë madje me “tapi” si më hallakatte gjyshi im. Ajo që më shtyri të mos festoja ishte frika e Bosnjëzimit të Kosovës dhe frika se po gëzohesha për diçka të gjysmuar dhe të përgjysmuar. U frikësova nga tkurrja e rradhës. Të nesërmen e pavarësisë së Kosovës, doli VETËVENDOSJA, e cila nxorri thirrmën “Bac po të rrejnë”, kundër atyre që thoshin se “Bac u kry”. Kjo më lehtësoi më shumë, disi brenga që kisha ma rrumbullakoi dhembjen duke i lënë një shteg dhembjes kombëtare.

Frika më e madhe ishte gjumëzimi shoqërorë siç mund të na bëhej si qytetarë ose si banorë të Kosovës (kjo e dyta e mbetur nga emërtimi politik që i bëhej qytetarisë nga UNMIK-u). Pavarësia e Kosovës, ma kallte tmerrin duke më dhënë një mendim të hallakatur se ndoshta kjo do të ishte ai ariu që fle për tërë dimrin. Vetëvendosja ma qetësoi zemrën, duke ma rikujtuar s’e ka edhe të tjerë që mendojnë ndryshe dhe nuk duan gjumëzim shoqëror por përkundrazi ndalje të proceseve shkombëtarizuese të Kosovës. Ajo që është më sarkastike s’e shumica nga ne ende nuk e dimë himnin e flamurit të Kosovës. Unë ende nuk e di. As që jam interesuar ta di ndonjëherë. Arsyeja: S’më bën të unifikohem me të, sepse asgjë s’ka shqiptare në të.

Pavarësia e solli edhe flamurin me përplot ylla. Kam dëgjuar disa që me këto ylla unifikonin hapësirën shqiptare dhe kjo në vete mbarte një sarkazmë inetersante. Ishte njejtë sikur para vdekjes të thoshe mendimin tënd ose dëshirën tënde të fundit, por kur të pret shpata. Pastaj, a nuk ishin këta të “partisë së luftës” që e kallën flamurin “kokënëvete” të të ndjerit Ibrahim Rugovës. Problemi i flamurit të Kosovës u debatua shumë dhe s’e përherë kërkohej që ajo të metamorfozohej në një tjetër. Arsyeja; dy shtete me të njejtin flamur nuk bëjnë. Përgjigja e një qytetari i cili mendon me kokën e vet, por jo të tjetër kujt do të ishte kjo; të shkurtohej për një centimër nga ai egzistues. Por problemi nuk ishte këtu. Ajo që kërkohej ishte simbolet shtetërore të çkombëtarizoheshin. Kjo u arrit! U bë nga politikanët tanë në vend se të pyetej populli…

Tani këta politikanë të cilët do të dalin të na kërkojnë votën tonë, do të vazhdojnë në të njejtën rrugë politike. Ata sërish do të negociojnë me Serbinë për shtëpinë tonë. Ata sërish do të krijojnë ca Mitrovica të tjera. Do të vazhdojnë të na dekulturojnë duke bërë koncensione të dëmshme për vendin tonë. Prandaj nevojitet një mobilizim qytetarë e shoqërorë për t’i thënë boll ma këtyre politikanëve të korruptuar… T’i themi boll ma, sepse të nesërmen fëmijët e mi, ndaj edhe fëmijët tanë do të na vrasin me botëkuptimet e tyre të shëndosha se ç’bëmë ne për ta. Prandaj boll ma!