Miza e kalit me emrin Beyonce

Lloji i rrallë i mizës, që tash quhet Scaptia linthia beyonceae, është zbuluar në shtetin australian Queensland që në vitin 1981, por deri më tash nuk ka pasur emër shkencor. Në vitin 1981 është lindur edhe Beyonce.
Insekti duket sikur mban një copë pëlhure në fund të abdomenit, respektivisht prapanica përfundon me një mbështjellës të gjerë me ngjyrë ari. Shkencëtari Bryan Lessard nga Qendra australiane për hulumtime shkencore, vlerëson se një anatomi e tillë këtë lloj insekti e bën “divë në mesin e mizave”, insekte që njihen edhe si miza kali.
“Ngjyra e arit në fund të barkut më ka shtyrë ta krahasojmë me Beyonce. Për mua ky është edhe rasti të tregoj anën argëtuese të taksonomisë, artin e emërtimit të specieve”, sqaroi ai.
Pyetja që mbetet është nëse Beyonce do të ndjehet e lumtur kur të dëgjojë këtë “mirënjohje”. Miza femër e kësaj specie ushqehet me gjakun e gjitarëve, por meshkujt thithin nektar nga lulet dhe luajnë një rol të rëndësishëm në shumimin e kësaj specie. /Telegrafi/



















































