LAJMI I FUNDIT:

Mitrovicë, kompania gjermane krijon 100 vende të reja pune

Mitrovicë, kompania gjermane krijon 100 vende të reja pune

Kompania e njohur gjermane, “IQ to Link”, po vazhdon zgjerimin e saj, duke hapur përfaqësinë e tretë në Kosovë në qytetin e Mitrovicës. Zgjerimi i “IQ to Link” vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm në dy pikat tjera në Prishtinë dhe Prizren.

Drejtori i IQ to Link, Jens Reichenbach, deklaroi se hapja e qendrës në Mitrovicë do të ndihmojë në uljen e papunësisë në këtë qytet.


Ai tregon se nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë hapja e qendrave të reja në qytetet tjera të Kosovës.

Në këtë ngjarje ishte prezente edhe ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, e cila përgëzoi kompaninë për hapjen e qendrës së re, dhe tregoi që ky është një shembull që edhe në Kosovë mund të krijohen kompani të suksesshme.

Prezent ishte edhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai tregoi për kontributin e madh të kompanisë në punësimin e të rinjve në Kosovë.

Tashmë kompania ka arritur marrëveshje të reja me klientë ndërkombëtarë dhe negociatat vazhdojnë edhe me klientë të tjerë të kalibrit botëror.

Krijimi i mundësive të reja për fillimin e karrierës për rininë kosovare duke hapur vende të reja pune është sinonim i „IQ to Link“ dhe këtu kontribuojnë marrëveshjet e shumta ndërkombëtare.

Aftësitë e shkëlqyera shumë-gjuhësore (multilinguale), me moshë mesatare 27 vjeç – energjia, dinamika dhe entuziami i pakrahasueshëm i të rinjve, ka bërë që kompania „IQ to Link“ të investojë në Kosovë, duke nxitur punësimin e më shumë se 400 të rinjve kreativ dhe energjik në gjirin e kompanisë.

Zgjerimi i njohurive dhe edukimi i mëtutjeshëm ashtu sikurse trajnimi për shkathtësitë janë prioritet i „IQ to Link“ duke siguruar trajnime speciale që i përgatisin punonjësit për kryerjen e shërbimeve për klientët e kompanisë.

“IQ to Link“ vepron në 7 gjuhë të huaja dhe njohja e njërës prej tyre është esenciale për të qenë pjesë e kompanisë.

Për momentin pjesë e „IQ to Link“ janë 400 punonjës.

Qendra e parë e kompanisë është hapur në Prishtinë dhe është aktive që nga viti 2015.

Në maj të vitit 2016 është hapur edhe qendra e dytë në Prizren, cila ka treguar mjaft sukses që nga ajo kohë e veprimtarisë.

Në faqen zyrtare të kompanisë, mund të përcillni disa nga storiet e suksesit të agjentëve, të cilët flasin për eksperiencën e tyre në kompani dhe për mundësitë që janë ofruar.

“IQ to Link“, vepron në bazë të rregullave dhe direktivave evropiane për sigurinë e të dhënave dhe është e përkushtuar të vazhdojë rritjen e saj brenda hapësirës ligjore, për shërbim kualitativ ndaj klientëve dhe për t’i fuqizuar të rinjtë ashtu si për të zvogëluar papunësinë në vend.