Mitrovica përmirëson ndriçimin publik, punimet shtrihen në disa zona të komunës

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja, kanë vizituar punimet që po zhvillohen për rregullimin e rrjetit të ndriçimit publik në shëtitoren e Liqenit Akumulues.
Sipas Osmanit, pas nënshkrimit të kontratës, kompania e kontraktuar ka nisur menjëherë punimet për përmirësimin e rrjetit të ndriçimit publik në disa pjesë të Komunës së Mitrovicës.

Punimet, sipas njoftimit të komunës, përfshijnë Liqenin Akumulues, qendrën e qytetit, Zhabarin, Shipolin, Tavnikun, Bajrin, si dhe lagje e fshatra të tjera ku është i shtrirë rrjeti i ndriçimit publik.

“Çdo ditë me punë dhe veprime konkrete në shërbim të qytetarëve”, ka theksuar Osmani.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është përmirësimi i ndriçimit publik në të gjithë territorin e komunës dhe krijimi i kushteve më të sigurta për qytetarët. /Telegrafi/










































