Verifikohen dhe zëvendësohen ujëmatësit me defekte në Skenderaj

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për aktivitetet e ekipeve teknike në terren në qytetin e Skenderajt.
Sipas njoftimit, ekipet teknike gjatë ditës së sotme po kryejnë verifikimin e ujëmatësve të evidentuar me defekte, ndërsa në rastet kur është e nevojshme, po bëhet edhe zëvendësimi i tyre.
Aktivitetet kanë nisur në rrugën “17 Shkurti”, ndërsa ekipet do të vazhdojnë punën edhe në Lagjen 1 dhe zona të tjera të Skenderajt, në përputhje me planifikimin e kompanisë.
Nga KRU “Mitrovica” kanë bërë të ditur se këto ndërhyrje synojnë të sigurojnë funksionimin e rregullt të ujëmatësve dhe të përmirësojnë saktësinë e matjes së konsumit të ujit.
Kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtyre aktiviteteve. /Telegrafi/








































