LAJMI I FUNDIT:

MIT: Greva e kontrollorëve ajror rrezikon të dëmtojë seriozisht operimet në Aeroportin ‘Adem Jashari’

MIT: Greva e kontrollorëve ajror rrezikon të dëmtojë seriozisht operimet në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror, përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj. Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në ligjin për pagat.

“E drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva. Për shërbimet e rëndësisë jetike, siç është shërbimi i navigimit ajror nevojiten të plotësohen disa kushte të caktuara dhe të sigurohet minimumi i procesit të punës gjatë grevës, duke mos e rrezikuar në asnjë moment sigurinë e aviacionit, jetën apo shëndetin e njerëzve dhe duke parandaluar shkaktimin e dëmit me pasoja të mëdha”, thekson reagimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.


“Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari” gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil”.

Prandaj, MIT edhe një herë ju bën thirrje SINKON të ASHNA-s që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur. “MIT nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON të ASHNA”. /Telegrafi/