LAJMI I FUNDIT:

Misteri mbi kështjellën e Putinit dhe një gjë e sigurt

Misteri mbi kështjellën e Putinit dhe një gjë e sigurt
A still image taken from video shows a flying object exploding in an intense burst of light near the dome of the Kremlin Senate building during the alleged Ukrainian drone attack in Moscow, Russia, in this image taken from video obtained by Reuters May 3, 2023. Ostorozhno Novosti/Handout via REUTERS

Nga: Frida Ghitis / CNN (titulli origjinal: Whatever happened in the skies over Putin’s fortress, one thing is certain)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Njoftimi ishte dramatik dhe imazhet të linin pa frymë. Kremlini deklaroi se të mërkurën mbrëma është sulmuar, se është shënjestruar nga dy dronë objektiv i të cilëve pretendohet se ishte vrasja e presidentit rus Vladimir Putin, i cili nuk u lëndua.

Moska e akuzoi Ukrainën për atë që e quajti “akt terrorist”. Ukraina tha se nuk e kishte asnjë lidhje me çfarëdo që ndodhi gjatë asaj nate. (Të nesërmen, Kremlini e akuzoi gjithashtu ShBA-në për përfshirje në sulmin e supozuar, të cilin ShBA-ja e mohoi).


Videoklipet në mediat sociale shfaqën ato që dukeshin si dronë dhe një shpërthim të zjarrtë mbi Kremlin, muret e të cilit tashmë janë zbukuruar me pankarta, në prag të festës së 9 Majit – të Ditës së Fitores, kur Rusia përkujton triumfin e saj mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe kur në parada e shfaq fuqinë e vet ushtarake.

Çfarë ndodhi saktësisht mbi Kremlinin që pritet të jetë shumë i fortifikuar – një fjalë që do të thotë kështjellë në rusisht – e që është selia e qeverisë dhe shtëpia e presidentit?

Kredibiliteti i Rusisë, veçanërisht në lidhje me luftën e saj kundër Ukrainës, është shtypur nga gënjeshtrat e vazhdueshme. Megjithatë, nuk e dimë se çfarë ka ndodhur.

Duke folur gjatë një udhëtimi për në Finlandë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i hodhi poshtë akuzat e Kremlinit. “Ne nuk e sulmojmë Putinin apo Moskën”, tha ai, “ne luftojmë në territorin tonë”. Ukraina, shtoi ai, po ia lë gjykatës fatin e Putinit, me gjasë duke iu referuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale e cila tashmë ka lëshuar urdhërarrest për presidentin rus, nën akuzat për krime lufte.

Më herët, zëdhënësi i Zelenskyt e hodhi poshtë çdo pretendim se Ukraina do të përpiqet për ta vrarë Putinin. “Është mashtrim që pritet nga kundërshtarët tanë”, tha Serhiy Nykyforov, duke e akuzuar Moskën për “përshkallëzimin e qëllimshëm të situatës përpara 9 Majit”.

Këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, tha se një sulm i tillë do të ishte kundërproduktiv për Ukrainën, duke ia dhënë Rusisë arsyetimin për sulme masive. Në vend të kësaj, pohoi ai, incidenti u organizua nga Rusia për ta krijuar një shpërqendrim dhe për ta shfrytëzuar rastin.

Një mundësi tjetër është që sulmi të jetë kryer nga rusët që e kundërshtojnë Putinin. Një ish-ligjvënës rus, tani i mërguar, i tha CNN-it se kjo është pikërisht ajo që ndodhi. “Është një nga grupet partizane ruse”, tha Ilya Pomarev, “Nuk mund të them më shumë, pasi ata ende nuk e kanë marrë publikisht përgjegjësinë”.

Nëse është kështu, duhet prisni që të intensifikohen sulmet ndaj Putinit në Rusi.

Derisa pasiguria rreth kësaj ngjarjeje vazhdon, është një fakt që nuk ka nevojë për dyshim: pas çdo dite që kalon, lufta në Ukrainë po i afrohet një përshkallëzimi të madh.

Toka është ende me baltë, ndërsa bora e dimrit po shkrihet; temperatura po rritet. Ukraina vazhdimisht ka njoftuar se po e planifikon një kundërofensivë në shkallë të gjerë, një shtytje për ta rimarrë territorin ukrainas të zaptuar nga pushtuesit rusë.

Rusia është e shqetësuar për këtë fazë të re të afërt të luftës. Dhe, sinqerisht, edhe aleatët e Ukrainës.

Forcat ukrainase e befasuan jo vetëm Rusinë, por miqtë e tyre me mbrojtjen e tyre të ashpër, duke rezistuar në një konflikt që shumëkush priste se do ta humbnin brenda pak ditësh. Por, mbrojtja e territorit është ndryshe nga rimarrja e tokës që tashmë është zaptuar, veçanërisht kur Rusia ka pasur muaj të tërë për t’i fortifikuar pozicionet e veta.

Një mori e materialeve shumë të klasifikuara të Pentagonit, që u zbuluan kohët e fundit, përfshinin vlerësimet pesimiste të aftësisë së Ukrainës për ta kryer ofensivën, me një analizë që paralajmëronte se “fushata shtypëse e Rusisë për ta rraskapitur armikun në rajonin e Donbasit, ka të ngjarë të shkojë drejt një ngërçi”.

Toni i analizës është në kundërshtim me vlerësimet optimiste që vijnë nga Londra dhe nga Uashingtoni. Megjithatë, ato dokumente duket se datojnë nga shkurti dhe nga marsi, kështu që analiza mund të ketë ndryshuar.

Çmimi i një operacioni të dështuar, apo edhe vetëm minimalisht të suksesshëm, nuk do të ishte vetëm në jetët e humbura. Përveç kërdisë, ajo mund të përfundojë duke i shkatërruar shpresat e Ukrainës për ta ruajtur territorin e vet.

Ukraina është duke punuar në atë që shpreson të jetë fushata që e transformon luftën dhe ia jep asaj avantazhin. Nëse kjo nuk ndodh, mbështetësit e saj në Perëndim mund ta humbasin durimin dhe të kërkojnë që Kievi të bëjë lëshime ndaj Moskës.

Tash për tash, aleatët e Ukrainës kanë derdhur burime ushtarake. Deri tash, Ukraina ka dëshmuar se pesimizmi fillestar ishte i gabuar. Por, disa janë ende të shqetësuar se forcat luftarake, të elektrizuara nga rëndësia e misionit – shpëtimi i vendit – po tregohen tepër optimiste.

Rusia gjithashtu e ka forcuar mbrojtjen e saj në pritje të sulmit të Ukrainës. Ushtarët ukrainas do të luftojnë në fusha shumë të minuara, në kanale të thella kundër tankeve dhe në llogore. Imazhet satelitore konfirmojnë se Rusia ka ndërtuar qindra milje të fortifikimeve në zonat ku Ukraina pritet të sulmojë, nga lindja dhe nga jugu në drejtim të Krimesë.

E gjithë kjo e shton nivelin në rritje të nervozizmit, përpara sezonit të luftimeve të intensifikuara. Në këtë sfond, Kremlini e akuzoi Kievin për përpjekjen për ta vrarë Putinin.

Ngjarja është misterioze. A do të fliste qëllimisht Putini – që shqetësohet shumë se çfarë të tjerët mendojnë për të – se kompleksi i fuqishëm i Kremlinit është kaq i prekshëm? A ka rrezikuar Ukraina në tentimin për ta eliminuar kreun e komandës?

Kremlini është aq i shqetësuar për atë që po e pret, saqë festimet e Ditës së Fitores ndjeshëm janë zvogëluar në të gjithë vendin. Ulëset tashmë po ngjiten në Sheshin e Kuq, por festimet këtë vit do të jenë shumë më ndryshe.

Duke i përmendur shqetësimet e sigurisë, autoritetet kanë anuluar disa nga traditat më prekëse për këtë 9 Maj, duke përfshirë këtu tubimet e mëdha dhe paradat për të nderuar ata që vdiqën në luftërat e Rusisë. Në paradën e Regjimentit të Pavdekshëm, qindra mijëra rusë dalin në rrugë, shumë prej tyre duke mbajtur fotografi të të afërmve të tyre që i shërbyen kombit në Luftën e Dytë Botërore – në Luftën e Madhe Patriotike, siç njihet atje.

Kjo ngjarje nuk do të ndodhë këtë vit. Disa vëzhgues thonë se arsyeja e vërtetë se pse u anulua, është se Kremlini ka frikë se tubimet e mëdha publike mund të shndërrohen në protesta dhe se ai shqetësohet se fotografitë e ushtarëve të vdekur, që barten nga të afërmit, do të bëjnë me dije për dhjetëra mijëra rusë të vrarë në muajt e fundit duke luftuar në Ukrainë – duke theksuar koston e të ashtuquajturit “Operacion Special Ushtarak”, të pushtimit rus të Ukrainës që Putini më në fund e quajti “luftë”.

Katërmbëdhjetë muaj pasi Rusia e nisi pushtimin e vet në shkallë të plotë, lufta në Ukrainë tashmë është më e keqja në tokën evropiane – që nga Lufta e Dytë Botërore.

Çfarëdo që ka ndodhur në qiellin e natës mbi Moskë, është një tjetër shenjë se kjo do të jetë një pranverë shumë e nxehtë në Ukrainë, me luftimet që po hyjnë në një fazë të re dhe më intensive, të cilat mund ta përcaktojnë rezultatin e kësaj lufte të tmerrshme. /Telegrafi/