Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar rolin dhe përkushtimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, duke theksuar se zhvillimi dhe aftësimi i personelit mbetet prioritet kyç i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Vengu ka theksuar se misioni i Forcave të Armatosura avancon çdo ditë falë punës dhe përkushtimit të ushtarakëve, si nëntoger Ersi Mollaj dhe ushtare IV Erato Buzalli.


“Misioni ka emër. Forca avancon çdo ditë përmes zhvillimit dhe aftësimit të çdo efektivi të përkushtuar”, ka shkruar Vengu.

Sipas tij, efektivët e Forcave të Armatosura shërbejnë në zona të ndryshme të vendit, nga Burrel në Poshnje, e nga Vau i Dejës në Bunavi, duke u angazhuar në përballimin e emergjencave civile, stërvitje ushtarake, detyra operacionale, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në misione ndërkombëtare.

Ministri ka theksuar se kapitali njerëzor i Mbrojtjes mbetet aseti më i rëndësishëm dhe baza për ringritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. /Telegrafi/