Misioni i FMN-së në Kosovë, BQK prezanton stabilitetin financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët dhe stafin e BQK-së, ka pritur Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë për zhvillimin e konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se misioni i FMN-së udhëhiqet nga David Amaglobeli, Shef i Misionit për Kosovën, dhe përfshin Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor me seli në Vjenë, si dhe stafin e FMN-së nga Washington DC.
“Në takimin hapës, Guvernatori Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke theksuar rëndësinë e asistencës profesionale dhe teknike të ofruar ndër vite. Ai prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë dhe theksoi stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar”, thuhet në njoftim.
Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu misionin e FMN-së për reformat në vazhdim në sektorin financiar, përfshirë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse në fushat e stabilitetit financiar, modelimit makroekonomik, mbikëqyrjes financiare, praktikave të tregut, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.
“Këto reforma po mbështeten nga asistenca teknike e FMN-së dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare.
Ai theksoi po ashtu zhvillimet në sektorin bankar, duke nënvizuar nivelet e larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe performancën pozitive të sektorëve të tjerë financiarë, të cilat konfirmojnë stabilitetin e sistemit financiar në vend”, thuhet tutje në njoftim.
Nga ana e tij, Shefi i Misionit të FMN-së, David Amaglobeli, vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me BQK-në dhe përgëzoi institucionin për progresin e arritur në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm përmes asistencave teknike.
Gjatë takimit u diskutua zbatimi i rekomandimeve nga konsultimet e mëparshme të Nenit IV, si dhe mundësitë për aranzhime të reja me FMN-në, me fokus në forcimin dhe reformimin e mëtejmë të sistemit financiar.
Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt, gjatë së cilës do të zhvillojë diskutime tematike me stafin e BQK-së dhe me institucione të tjera të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin IV të Marrëveshjes së FMN-së me vendet anëtare. /Telegrafi/
















































